Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ndalohet për Kanosje Avokati Nasuf Hasani

Është ndaluar sot nën dyshimin për kanosje avokati Nasuf Hasani.

Avokati Hasani që aktualisht ndodhet në polici, e konfirmoi kërkesën e prokurorit për ndalimin e tij, por deklaroi se këtë veprim prokurori e ka ndërmarrë nga inati.

“Prokurori ma ka bërë për inat pasi që para rreth një muaji kam parashtruar ankesë në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, pasi që një palë më ka kërcënuar në prezencën e tij dhe ai nuk ka ndërmarrë asgjë”, tha Nasuf Hasani për KALLXO.com.

Kryeprokurori i Prishtinës  Imer Beka, tregoi si ka ndodhur rasti i kanosjes.

“Besohet se kanosja ka ndodhë në seancë gjyqësore, pasi që sipas prokurorit Hajdini, avokati i të dyshuarit e ka kanosë palën e dëmtuar, e më pas prokurori ka urdhëruar ndalesën e avokatit në fjalë. Më pas është marrë prokuroria kujdestare me rastin”, tha kryeprokurori Imer Beka.

Florie Ahmeti, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës tha për KALLXO.com se ende policia nuk ka ndonjë të dhënë në lidhje me këtë rast.

Por një zyrtar policor tregoi për KALLXO.com se avokati është shoqëruar në stacionin numër katër.

“Ne kemi shkuar në shpallje të aktgjykimit me kërkesë të gjyqtares, mbasi që është shpallur aktgjykimi, prokurori ka urdhëruar ta ndalojmë avokatin në fjalë për kanosje. Kanosjen ne nuk e kemi dëgjuar, por ne duhet ta zbatojmë urdhrin e policisë”, tha një zyrtar policor për KALLXO.com.