Sadri Ramabaja - Foto: Facebook

Ndalohet në Shqipëri Sadri Ramabaja

Sadri Ramabaja, ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje është ndaluar mbrëmë nga autoritetet e Shqipërisë.

Lajmin për ndalimin e Ramabajës e bëri të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se personi me inicialet S. R. shtetas i Republikës së Kosovës, është ndaluar mbrëmë nga autoritetet e Shqipërisë në pikën kufitare dalëse të Durrësit”, tha Kelani.

Ai tregoi se informatat për ndalimin e Ramabajës Policia e Kosovës i ka siguruar nga autoritetet shqiptare me të cilat tha se është në kontakt për procedura të mëtejshme.

Ramabaja dyshohet në Kosovë për veprat penale vrasje të përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës dhe përgatitje të veprave terroriste, për të cilat dyshime ishte ftuar të intervistohej nga Prokuroria Speciale.

Ftesën për intervistim të prokurorisë Ramabaja që ishte pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës e kishte publikuar në Facebook.

http://kallxo.com/zyrtari-vetevendosjes-dyshuar-per-pergatitje-te-veprave-terroriste/

Nën dyshimet për të njëjtat vepra ishte arrestuar edhe Murat Jashari, një tjetër ish-anëtar i LPK-së, pas atentatit që iu bë avokatit dhe ish-liderit komunist të Kosovës Azem Vllasi.