Ndalimi i flamurit të Kosovës në Spanjë thekson hendikepin e sportit kosovar

Vendimi i Spanjës për të ndaluar atletët nga Kosova, shtetin të cilën nuk e njeh, që të konkurrojnë nën flamurin e tyre kombëtar në Kampionatin Botëror të Karatesë 2018 në Madrid, ka theksuar disavantazhet që sportistët profesionistë kosovarë ende vuajnë.

Kështu ka thënë për BIRN ,Besim Hasani kryetari i Komitetit Olimipik të Kosovës.

“Kudo që atletët e Kosovës nuk lejohen të marrin pjesë,  ata dëmtohen drejtpërsëdrejti, sepse ata humbasin mundësinë për t’u kualifikuar për Kampionatin Botëror apo Lojrat Olimipike”, tha Hasani.

Ai tha se “Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe federata të tjera ndërkombëtare po bëjnë shumë përpjekje për ta mbajtur politikën larg sportit dhe që atletët të trajtohen në mënyrë të barabartë kudo”, por përsëri e njëjta po ndodhë.

IOC i kërkoi federatave ndërkombëtare të hënën për të bojkotuar eventet  në Spanjë përveç nëse të gjithë atletët trajtohen në mënyrë të barabartë, pasi që ata nga Kosova u ndaluan të shfaqin flamurin e tyre kombëtar në Kampionatin Botëror të Karatesë në Madrid, me 6 deri 11 nëntor.

Por, Hasani shtoi se problemi “nuk është vetëm me Kosovën’ ka edhe probleme në marrëdhëniet e Rusisë dhe Ukrainës në sport, me Izraelin dhe shtetet arabe dhe anasjelltas”.

Ai vazhdoi “Ne kemi mbështetjen e këtyre institucioneve sportive, por problemet ende shfaqen kur kemi të bëjmë me protokollin e shtetit, në çështjen e vizave”.

Pasi Spanja ndaloi shfaqjen e flamurit të Kosovës në këtë ngjarje, atletët e Kosovës mbanin inicialet e Federatës së Karatesë të Kosovës, KKF, në fanellave të tyre. Emrat e tyre u renditën në tabelat krahas Federatës Botërore të Karatesë.

Pavarësisht mosmarrëveshjes mbi flamurin, Hasani tha se  pjesëmarrja e Kosovës në ngjarje ishte një sukses, me ekipin e femrave në vendin e shtatë në garë.

Lojërat Olimpike në Rio, Brazil ishin Olimpiada e parë në të cilën atletët kosovarë garuan nën flamurin e tyre, pasi Kosova u pranua si anëtar i IOC në vitin 2014.

Gjatë ndeshjeve, xhudistja Majlinda Kelmendi u bë atletja e parë nga Kosova që solli në shtëpi një medalje të artë.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008. Megjithatë, Serbia kundërshton fuqishëm shtetësinë e Kosovës.

Vendi ballkanik është njohur nga më shumë se 110 vende. Por, përveç Serbisë, Rusisë, Kinës dhe disa vendeve të tjera, pesë shtete të BE-së-Spanja, Sllovakia, Rumania, Qipro dhe Greqia- gjithashtu nuk e njohin Kosovën.

Shumica kanë çështje separatiste të tyre, sidomos Spanja, me Katalonjën që kërkon pavarësinë.