Foto: Ilustrim

Ndalim Policor për Shokun e Personit që u Gjet i Vdekur

Shtetasi i Shqipërisë, V.L., do të mbahet në ndalim policor prej 48 orësh deri në momentin kur do të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Kjo masë është vendosur pasi që V.L. dyshohet për posedim të narkotikëve, konkretisht të një sasie prej 90 gramë marihuanë, ka thënë avokati i tij, Asdren Hoxha.

V.L. ndante vendqëndrimin e tij në Kosovë me shtetasin tjetër nga Shqipëria, E.P., i cili ditën e djeshme u gjet i vdekur në Prishtinë.

Avokati Hoxha për KALLXO.com tha se  V.L. dhe E.P., kishin ardhur nga Republika e Shqipërisë në Kosovë për të luajtur futboll, ndërsa përpos vendqëndrimit të tyre të përbashkët, ata ndanin edhe një çantë të përbashkët.

Pikërisht çanta e përbashkët ishte shkaku sipas Hoxhës që i mbrojturi i tij u ndalua nga Policia pasi që në të është gjetur një sasi e substancës narkotike.

“Çanta në të cilën është gjetur substanca narkotike e llojit marihuanë, rreth 90 gramë, ka qenë çantë e përbashkët. Aty janë gjetur pasaporta, rrobat e viktimës dhe të të pandehurit”, tha Hoxha për KALLXO.com

Hoxha për këtë arsye kundërshtoi ndalimin e caktuar ndaj klientit të tij, duke thënë se ai nuk kishte qenë në dijeni se në çantë ndodhej substanca narkotike.

“I mbrojturi im ka mohuar që substanca narkotike të jetë e tij. Gjithashtu, është e rëndësishme të potencohet se përveç që është gjetur narkotik në çantë, narkotik është gjetur edhe në trupin e viktimës dhe  në rrobat e tij, çka do të thotë se viktima e ka pasur dhe e ka përdorur. I mbrojturi im nuk ka pasur dijeni për lëndën narkotike dhe e kundërshton këtë pretendim”, tha Hoxha.

Avokati mohoi kategorikisht se i ndalimi i të mbrojturit të tij ndërlidhet në çfarëdo mënyre me vdekjen e shokut të tij.

“Të mbrojturit tim i është caktuar masa e ndalimit dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me vdekjen e dyshimtë të viktimës”, tha Asdren Hoxha.

Hoxha ishte shumë kritik ndaj caktimit të masës së ndalimit policor pasi që thotë se është paragjykuar ndaj të mbrojturit të tij.

“Unë nuk jam pajtuar me masën e ndalimit sepse në njëfarë mënyrë është paragjykuar posedimi, sepse çanta ka qenë e përbashkët dhe viktima ka qenë përdorues dhe fakti që është gjetur në çantën e përbashkët ka qenë shumë dyshim i dobët për ta paraburgosur një person”, tha Hoxha.

Avokati gjithashtu mohoi çfarëdo lidhje që i mbrojturi i tij dhe viktima mund të kishin me protestën e opozitës të së premtes, pasi që tha se ata në Kosovë kishin ardhur dy javë më parë dhe se arsyeja e vetme ishte futbolli.

Asdren Hoxha tha se gjatë ditës së sotme apo më së largu të hënën pritet që të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë.

KALLXO.com dje ka raportuar për gjetjen nga Policia të një personi të vdekur në lagjen “Dardania” në Prishtinë, i cili dyshohej se është shtetas i Republikës së Shqipërisë.

http://kallxo.com/nje-person-i-vdekur-ne-prishtine/