Foto: arkiv

Ndalim i Sërishëm i Udhëtarëve nga Shqipëria

Daut Hoxha, zyrtari për informim i Policisë së Kosovës tregoi për KALLXO.com pse këta persona nuk u lejuan të hyjnë.

“Bëhet fjalë për një autobus me 14 persona te cilët nuk i kanë plotësuar kushtet e hyrjes. Autobusi nuk ka qenë i regjistruar për trafik ndërkufitar,” tha Hoxha.

Por Lëvizja “Vetëvendosje” që tha se këta persona po udhëtonin në Prishtinë për protestën opozitare, dha një version tjetër të ngjarjes.

“ Sot rreth orës 11:00 në pikën doganore të Morinës, Policia e Kosovës ka arrestuar protestuesit që po vinin nga Tirana për të marrë pjesë në protestën e 17 shkurtit në Prishtinë. Si fillim ata kanë kontrolluar autobusin, ku kanë gjetur parullat protestuese. Më pas i kanë shoqëruar tre vetë nga pjesëmarrësit në zyrën e policisë,” thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Hoxha nuk dha detaje nëse këta udhëtarë ishin nisur për t’iu bashkuar protestës së  17 shkurtit në Prishtinë, por tha se policia vetëm zbatoi ligjin.

‘Vetëvendosja” më tutje në njoftimin e saj thotë se udhëtarët janë kthyer për në Tiranë, ndërsa e konsideron të turpshëm këtë veprim policor.

“Ky veprim i Policisë së Kosovës është i turpshëm dhe synon vazhdimin e politikës famëkeqe të distancimit të Kosovës prej Shqipërisë,” thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Policia e Kosovës edhe në protestën opozitare të 9 janarit nuk lejoi të hyjnë nga pika e Morinës 42 shtetas të Shqipërisë.

http://kallxo.com/tensioni-protestues-polici-nis-para-protestes/

Atëherë këta persona u ankuan për dhunë të ushtruar ndaj tyre nga Policia e Kosovës.

http://kallxo.com/aktivistet-shqiptare-ankohen-ne-policet-kosovare-per-dhune/