Foto: MMPH

Ndahen 7 milionë euro për menaxhim të mbeturinave

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe përfaqësues të GIZ- it, drejtori David Oberhuber dhe udhëheqësja e projektit, Alexandra Linden, kanë nënshkruar Marrëveshje të bashkëfinancimit për Skemën e Granteve të Bazuara në Performancë.

Ministri Matoshi, pas ceremonisë, tha se MMPH-ja në bashkëpunim me GIZ-in gjerman ka lansuar këtë skemë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në vend, menaxhimit të mbeturinave si dhe shtrirjen e shërbimeve komunale për mbeturina.

“Fondi për Skemën e Granteve të Bazuara në Performancë është element thelbësor i një qasjeje të integruar për t’i ngritur kapacitetet e komunave për të ofruar shërbime më të mira. Qëllimi i tij është që ta stimulojë performancën e komunave në ofrimin e shërbimeve dhe të sigurojë fonde për investimet në infrastrukturë”, deklaroi Matoshi.

Sipas ministrit Matoshi, në bazë të kësaj marrëveshje, duke filluar nga viti 2020, MMPH-ja do të ofrojë një buxhet vjetor për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme për menaxhimin e mbeturinave komunale.

“Buxheti i përgjithshëm do të jetë 3.5 milionë euro për tri vjet dhe do të ndahet në faza. Në vitin 2020 buxheti do të jetë 466 mijë e 655 euro, në vitin 2021 do të jetë 1.166.655 euro ndërsa në vitin e 2022 do të jetë 1.866. 655 euro”, tha ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi falënderoi për mbështetje, Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar–GIZ, ndërsa tha se beson fuqishëm se Granti i Performancës të arrijë në 20 milionë euro.

Ndërsa drejtori i GIZ-it në Kosovë, David Oberhuber tha se është koha që MMPH-ja ta udhëheqë këtë projekt në tërë territorin e Kosovës.

“Është koha e ministrisë suaj, që të marrë përsipër këtë detyrë dhe ta shpërndajë këtë në ministri të tjera dhe në tërë vendi. Ministria duhet të investojë buxhetin e saj në këtë drejtim sepse është hap kyç për qëndrueshmërinë e këtyre projekteve”, deklaroi Oberhuber.

Në sektorin e menaxhimit të mbeturinave do të investojnë edhe Komisioni Evropian me rreth 6 milionë euro si dhe MAPL me “Demosin” zviceran me 9 milionë euro.