Ndahen 200 Mijë Euro për Viktimat e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës

Në mbledhjen e sotme te Qeverisë, është miratuar vendimi për ndarjen e 200 mijë eurove për mbështetjen e shoqatave që merren me çështjet e kategorisë së viktimave të dhunës seksuale të luftës thuhet në përgjigjen e zyrës për komunikim publik në kryeministri.

Edhe pse në vitin 2014 Kuvendi i Kosovës ka miratuar një ligj që ua njeh statusin e viktimave civile të luftës, grave të dhunuara seksualisht, qeveria aktuale ka kërkuar që në fillim të vitit 2018 të procedohet një ligj i ri në Kuvend.

“Ndonëse më 2014 Kuvendi i Kosovës ka miratuar një ligj që në vija të trasha ua njeh statusin e viktimave civile të luftës, grave të dhunuara seksualisht, Qeveria aktuale pas përmbylljes së tërë procesit të evidentimit, dhe verifikimit të viktimave civile të luftës (grave të dhunuara seksualisht)  të procedojë në Kuvend një ligj të ri të detajuar (në muajt e parë të vitit 2018) vetëm për këtë kategori”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Kryeministrit.

Gjatë kësaj jave OJQ-të e autorizuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) kanë dërguar në kryeministri kërkesën për rishikimin e buxhetit të vitit 2017 dhe për ndarjen e buxhetit për procesin e Njohjes dhe Verifikimit të Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare ne Kosovë.

Organizatat Joqeveritare të autorizuara MPMS i kanë dërguar kërkesë kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministrit të Financave, Bedri Hamza dhe Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica për ndarjen e buxhetit për procesin e Njohjes dhe Verifikimit të Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare ne Kosovë.

“Në emër të të mbijetuarve të dhunës seksuale, kërkojmë nga ju që në rishikimin e buxhetit të vitit 2017, të ndahen mjetet buxhetore për procesin e Njohjes dhe Verifikimit të Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë si dhe përcaktimin e pensionit personal për personat e dhunuar gjatë luftës” thuhet në kërkesën e OJQ-ve drejtuar kryeministrit dhe ministrave të lartcekur.

Bazuar në ligjin dhe rregulloret për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të  viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, janë emëruar të gjithë anëtarët e Komisionit, janë përzgjedhur anëtarët e Sekretarisë, janë autorizuar organizatat joqeveritare që do ta mbështesin procesin e verifikimit, janë duke u mbajtur trajnimet obligative për të gjithë anëtarët.

“Por përkundër të gjitha përgatitjeve për fillimin e procesit të njohjes dhe verifikimit të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës ende nuk është ndarë buxheti për këtë kategori” thuhet në kërkesën e OJQ-ve të autorizuara nga MPMS-ja.

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, është themeluar me Vendim të Kryeministrit të datës 28.04.2017, kurse zyrtarizimi i punës së Komisionit fillon pas mbajtjes së trajnimeve bazike dhe jo më larg se tre muaj pas emërimit nga qeveria.

Sipas kërkesës së OJQ-ve ky afat tani më është tejkaluar në mungesë të ndarjes së buxhetit për këtë proces.