Nazlije Bala Tregon si u Arrestua Albulena Haxhiu

Aktivistja Nazlije Bala që ishte me Albulena Haxhiun kur deputetja e LVV-së u arrestua, tregon detajet e këtij arrestimi.

Bala para Pallatit të Drejtësisë tha se Albulena Haxhiu u arrestua te rrethrrotullimi afër spitalit në Prishtinë, në orën 9 e 52 minuta, derisa po udhëtonin së bashku për një aktivitet të “Vetëvendosjes” në Gjilan.

Sipas Balës, pas ndalimit nga policia, Haxhiut dhe asaj u janë kërkuar letërnjoftimet dhe pastaj deputetes iu kërkua të dalë nga vetura.

Bala tha se kanë kërkuar që t’u tregohet fletarresti, ndërsa policia i ka thënë Haxhiut se do t’ia tregojnë fletarrestin në makinën e policisë.

“Ne e kemi kundërshtuar atë lloj arrestimi nga njësia speciale që thonin se pasi të vish me neve ne veturë ta tregojmë fletarrestin, sepse pa fletarrest është kidnapim,” tha Bala.

Ajo tregoi se fletarresti u soll pas gjysmë ore.

Albulena Haxhiu pas arrestimit është dërguar në Pallatin e Drejtësisë ku do të merret në pyetje nga prokuroria në lidhje me dyshimet për hedhjen e gazit lotsjellës në njërën nga seancat e Kuvendit.