Foto: RTV 21

Natyra ‘Ngujon’ Dy Superfuqitë

Autoritetet e shtetit amerikan, Misuri, kanë njoftuar se së paku 5 persona kanë vdekur, ndërsa më dhjetëra të tjerë janë lënduar, si pasojë e mbi 650 aksidenteve në rrugët e mbuluara nga akulli dhe bora në këtë shtet.

Policia e Misurit qartësoi se me fillimin e reshjeve të borës filluan edhe aksidentet, pasi që rrugët me lagështi filluan të ngrihen, si pasojë e temperaturave tejet të ulëta.

Aksidenti më i rëndë ndodhi në auto-rrugën ndërshtetërore në afërsi të Marshfilldit, ku si pasojë e një aksidenti zinxhiror u dëmtuan prej 60 deri në 80 automjete, me ç’rast vdiq një person.

Në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, shërbimet komunale do të jenë të detyruara të pastrojnë mbi 72 milionë metra kub borë, pas reshjeve më të mëdha të borës me të cilat u përball kryeqyteti rus në këtë shekull.

Zyrtarët në Moskë deklaruan se prioritet do të ketë pastrimi i rrugëve, trotuareve, metrove dhe i objekteve me rëndësi.

Lartësia e shtresës së borës në Moskë ishte 164 centimetra, ndërsa pritet që gjatë ditëve në vijim të bien prej gjashtë deri në tetë centimetra borë e re.

Në Francë, Agjencia Kombëtare Meteorologjike ua tërhoqi sot vërejtjen banorëve, pasi që pritet që gjysma e vendit do të përballet me reshje të borës dhe me ngrica.

Vërejtja u dha për 45 departamente, duke filluar prej atyre në brigjet e Atlantikut, e deri te ato në kufi me Gjermaninë.

Krahas kësaj, autoritetet franceze kanë aktivizuar alarmin e portokalltë për shkak të rrezikut nga vërshimet në rajonet që gjenden përgjatë shtratit të lumit Senë.

Edhe autoritetet në Spanjë kanë kërkuar nga qytetarët që të shmangin udhëtimet me automjete, për shkak të rrezikut nga ngricat, si pasojë e reshjeve të borës./21Media