NATO Dënon Retorikën Prishtinë- Beograd, Kërkon Ulje të Tensioneve

Komentet e shefit të NATO-s u bënë në Prishtinë gjatë një vizite që i bëri sot Kosovës, në kulmin e deklaratave të ashpra mes Prishtinës dhe Beogradit për situatën në pjesën veriore të vendit.

“Mos të merremi me retorikë, na duhet dialog që t’i shmangim incidentet. Nëse spekulojmë për ndonjë mundësi, vetëm sa e bëjmë situatën më të vështirë. Të mos e përdorim retorikën e cila mund ta tensionojë situatën”, tha ai kur u pyet për komentet e Presidentit Hashim Thaçi se “plani i Serbisë është aneksimi i veriut të Kosovës, njëjtë sikur aneksimi i Krimesë nga Rusia”.

Stoltenberg përsëriti se KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe se NATO do ta mbështesë FSK-në brenda mandatit ekzistues.

“NATO është në Kosovë dhe ka KFOR-in këtu për të siguruar se jemi të gatshëm ta ruajmë paqen. Janë 4500 trupa dhe ky është sinjal i fortë për përkushtimin tonë që Kosova të jetë vend i qetë dhe i sigurt”, tha ai

Ndërsa kryeministri Mustafa tha se Kosova është e përkushtuar që të gjitha çështjet t’i zgjidhë me dialog, por shprehu brengën për bllokadën në transformimin e FKS-së në Forca të Armatosura.

“Ne kohëve të fundit kemi pasur disa provokime sistematike që jemi marrë vesh në Bruksel t’i kapërcejmë me paqe dhe mirëkuptim”, tha ai.

“Shpreha nevojën që të kemi mbështetjen në transformimin e  FSK-së në FAK, dhe e njoftova sekretarin se kemi biseduar me pjesëtarët e komunitetit shumicë në kuvend, por ky proces po mbahet peng ngase nuk kemi përkrahjen e serbëve, jo për shkak të vullnetit të tyre por për shkak të ndikimit të  Serbisë”, vazhdoi Mustafa.

Në pyetjet e gazetarëve për ndikimin e Rusisë në rajon e Kosovë, cenimin e kufijve dhe rrëzimin e murit në Mitrovicën e Veriut, kryeministri tha se “nuk e kam asnjë informacion nga institucionet e sigurisë që kemi cenim të kufijve territorialë të Kosovës”.

“Treni është nisur nga Beogradi dhe jo nga Moska. E dimë që ka qenë dhuratë për Serbinë nga Rusia dhe nuk kemi pas distancim të Rusisë për destinimin e tij për provokim. Dhuratat që i jepen Serbisë nuk duhet të shfrytëzohen për provokimin e situatës në Kosovë”, tha Mustafa.

Ndërsa për rrëzimin e murit tha se gjatë sitës presin kontakte mes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Mitrovicës së Veriut që të harmonizohen veprimet.

Sekretari i NATO-s u pyet se a mund të garantoj NATO se do kundërvihet me forcë në çfarëdo ndërhyrje të jashtme në Kosovë.

“NATO është në Kosovë, e ka forcën e KFOR këtu për t’u siguruar që jemi në gjendje ta mbajmë stabilitetin e sigurisë në këtë pjesë jemi të zotuar. KFOR është reaguesi i tretë këtu, pas policisë, FSK-së e EULEX-it”, tha ai.

Kryeministri falënderoi Sekretarin për thellimin bashkëpunimit me NATO-n, si dhe përsëriti aspiratat e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Gjatë ditës, sekretri i përgjithshëm i NATO-s u prit edhe nga Presidenti Hashim Thaçi.

Në takim me sekretarin Stoltenberg, presidenti Thaçi ka vlerësuar lart punën e KFOR-it në Kosovë, duke thënë se me përkushtimin e tyre kanë arritur që të jenë institucioni më i besueshëm për qytetarët e Kosovës.

“Kosova e vlerëson shumë rolin tuaj dhe gatishmërinë e shprehur për të krijuar një bazë për rritjen e bashkëpunimit tonë. Shteti ynë mbetet i përkushtuar për avancimin e marrëdhënieve me NATO-n, si në rrafshin politik, ashtu edhe praktik”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Aspirata e vetme e Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi dhe sekretari Stoltenberg kanë biseduar edhe për angazhimin e autoriteteve kosovare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por edhe për dialogun me Serbinë dhe raportet fqinjësore me shtetet e Ballkanit Perëndimor.