Ilustrim

Nata e Tentim-Puçit, Sipas Një Turisti në Antalia

Gazetari i KALLXO.com, i cili gjendet në njërin nga qytetet bregdetare turke, thotë se turistët janë ndjerë të befasuar kur mbrëmë një grup ushtarakësh turq tentuan grusht-shtetin në Ankara dhe Stamboll duke bllokuar trafikun ajror në tërë shtetin si dhe atë rrugor në disa pjesë të tij.

Behar Mustafa, gazetar i KALLXO.com thotë se turistët e kanë kaluar natën mbrëmë të heshtur pranë ekraneve të televizorit në përpjekje për ta kuptuar se çka po ndodhë në këtë shtet.

“Deri kah mëngjesi të gjitha kanalet televizive edhe ato botërore kanë transmetuar pamjet e njëjta të televizionit shtetëror turk”, thotë Mustafa një ditë më vonë.

“Në bregdetin e Antalias gjithçka ka kaluar njëjtë. E pazakonshme kanë qenë vetëm disa sirena të veturave të qytetarëve rreth mesnatës për të cilat turistët nuk kanë mundur te kuptojnë se cilin krah e përkrahnin, puçistët apo Erdoganin”, thotë ai.

Përndryshe, mbrëmë në orët e vona një pjesë e ushtrisë turke ka nisur përpjekjen për ta marrë pushtetin në Turqi, duke bllokuar për disa orë rrugë në Stamboll e Ankara, e duke marrë përkohësisht nën kontroll objekte të rëndësishme, përfshirë aeroporte e media.

Lajmet më të fundit tregojnë se autoritetet shtetërore e kanë marrë krejtësisht situatën nën kontroll dhe se puçi i synuar ka dështuar.

http://kallxo.com/perpjekja-per-puc-ka-deshtuar/