Naim Pira Ndihet i Pafajshëm për Mëditjet

Në seancën e sotme fillestare ndaj Pirës edhe prokurori erdhi i papërgatitur.

Prokurori Shaban Spahiu kërkoi nga gjyqtari Naser Maliqi një kopje të aktakuzës, pasi atë nuk e kishte me vete.

Prokurori pastaj kërkoi pak kohë që ta lexonte aktakuzën dhe të përgatitej për seancën.

Pastaj Naim Pira u deklarua i pafajshëm ndaj akuzës për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar.

Abdylaziz Sadiku, avokati i Naim Pirës pas përfundimit të seancës tha se aktakuza ka ngjyrime politike.

“Po sot ishte shqyrtimi fillestar lidhur me aktakuzën ndaj të pandehurit Naim Pira, dhe unë si mbrojte konsideroj se kjo aktakuzë më tepër është e ngjyrosur politikisht sesa që i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale. Nuk ka asnjë provë se i pandehuri ka pasur një dashje direkte për ta kryer këtë vepër penale , këtë e theksoj pasi që për ta kryer këtë vepër duhet të ekzistoj dashja e drejtpërdrejtë,” tha Sadiku.

Pira akuzohet se u dha mëditje të rregullta disa asamblistëve të Komunës së Vitisë që nuk morën pjesë nëpër seanca të Kuvendit Komunal.

Avokati i Pirës tha se i mbrojturi i tij nuk ua ndaloi mëditjet asamblistëve që morën leje për të mos qenë në seanca.

“Naimi si i pandehur ka qenë gjatë vitit 2014 kryesues i Asamblesë Komunale të Vitisë dhe për arsye objektive, një numër i delegatëve gjatë gjithë vitit, janë dikund  7-8 delegatë të kuvendit të cilët e kanë pyetur paraprakisht që ose për shkak të sëmundjeve, operimit  apo sëmundjes së anëtarit të familjes, ose ndonjë nevoje tjetër shumë urgjente dhe ky i ka liruar që të mos jenë pjesëmarrës,” Abdylaziz Sadiku.

Prokuroria Themelore në Gjilan aktakuzën ndaj Pirës e ngriti më 29 dhjetor të vitit 2015.

Sipas aktakuzës, Naim Pira dyshohet se keqpërdori detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit për vete ose personin tjetër ashtu që me dashje nuk kreu detyrat e përcaktuara me ligj, duke vepruar në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ Nr 16/2008.

http://kallxo.com/aktkauze-ndaj-kryesuesit-te-asamblese-komunale-te-vitise/

Ky udhëzim administrativ rregullon pagesat e këshilltarëve të kuvendeve komunale.

Prokuroria pretendon se përkundër faktit që disa asamblistë gjatë vitit 2014 kanë munguar disa herë në mbledhje të kuvendit komunal, të njëjtëve u është paguar mëditje e rregullt për çdo seancë nga 125 euro.

Pagesa u është bërë asamblistëve Vjollca Sylejmani, Visar Demiri, Majlinda Ostrogllava, Vjollca Kadolli-Halili, Selvije Rexhepi, Mirlinda Sadiku dhe Nexhat Aliu në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit 2014 edhe pse ata nuk ishin të pranishëm në të gjitha mbledhjet.

Me këto pagesa prokuroria thotë se Komunës së Vitisë i është shkaktuar një dëm prej 1375 eurosh.