Naim Maloku, analist ushtarak

Naim Maloku, i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale

Njëri nga Ish- eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Maloku është ftuar për intervistim nga Prokuroria e Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë, në cilësinë e dëshmitarit.

Maloku i cili aktualisht është këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj,  ka njoftuar se është ftuar nëpërmjet telefonit në gjuhën sllovene, duke shtuar se nuk do të mund të udhëtojë për në Hagë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Maloku ka theksuar se angazhim i tij në UÇK e bënë të ndihet krenarë tërë jetën.

“Njoftova Gjykatën që për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore unë nuk mund të udhëtoj për atje. Angazhimi im në përpjekjet e popullit tim për liri, i kurorëzuar me të qenit oficer i lartë në të shenjtën UÇK, më bënë të ndihem krenar tërë jetën duke lënë trashëgiminë me të çmuar për pasardhësit e mi”, tha Maloku

Deri më tani, mbi 10 ish-komandantë të UÇK-së janë ftuar për intervistim nga Prokuroria e Specializuar.