Seanca ndaj Naim e Bekim Rexhepit, Gjykata Themelore e Prishtines - FOTO KALLXO

Naim e Bekim Rexhepi dënohen me gjobë për rrahjen në lokalet e QKUK-së / VIDEO

Naim e Bekim Rexhepi, të akuzuarit për veprën penale lëndim të lehtë trupor janë dënuar me gjobë nga Gjykata e Prishtinës.

I akuzuari Naim Rexhepi është dënuar me gjobë prej 1,500 Euro, ndërsa i akuzuari tjetër, njëherit vëllai i të akuzuarit të parë, Bekim Rexhepi, është dënuar me gjobë prej 1 mijë Euro.

Dy të akuzuarit kanë pranuar fajësinë në shqyrtimin e dytë, për veprën penale Lëndim i lehtë trupor, ndaj të dëmtuarave A.D. dhe I.R.

Për këtë rast, Gjykatës së Prishtinës i’u deshën plotë dy vite për të mbajtur seancën e parë, edhe pse Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, në gusht të vitit 2014 rreth mesnatës në lokalet e QKUK-së në Prishtinë, të pandehurit Bekim e Naim Rexhepi, me qëllim që t’i shkaktojnë lëndime trupore me dashje i kishin sulmuar fizikisht viktimat, tani të dëmtuarat A.D. dhe I.R., duke i goditur me bërryl, grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit ku të njëjtave u kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Nën pretendimin se të pandehurit i kanë kryer këto veprime ndaj të dëmtuarave, Prokuroria i akuzonte Bekim Rexhepin dhe Naim Rexhepin, se në bashkëkryerje janë kryes të veprës penale lëndim i lehtë trupor.

Aktakuza ishte ngritur me datë 5 gusht të vitit 2016, ndërsa seanca e parë është mbajtur muajin e kaluar.

KALLXO.com ka raportuar muajin e kaluar se si gjyqtarja e këtij rasti, Lindita Jakupi kishte përjashtuar nga seanca të dëmtuarën A.D. dhe monitoruesen e KALLXO.com, me arsyetimin se “hapësira ka qenë e vogël në zyrë”.

https://kallxo.com/ne-gjyqin-per-dhune-ne-familje-te-demtuarave-u-pamundesohet-pjesemarrja-ne-seance/

www.KALLXO.com