Naim Bazaj

Naim Bazaj largohet nga PDK, kthehet sërish në AAK

Pasi dështoi të bëhet i pari i PDK-së në Drenas, Naim Bazaj do të rikthehet në pjesë e të cilës ka qenë dikur.

Në një prononcim për KALLXO.com, Bazaj e ka konfirmuar se po kthehet në AAK.

“Po, kam aderuar në AAK, por ende s’e kam bërë zyrtare. Besoj që pas dy-tre ditësh do ta bëjë publike aderimin tim”, tha ai.

Tutje ai theksoi se nga kjo parti më herët është larguar për ta mbështetur ish-partiakun e tij, Ramiz Lladrovcin, për të cilën thotë se i ka rënë pishman.

“Po, kam qenë deri në 2007-tën, jam larguar atëherë sa ishim bashkë me Ramiz Lladrovcin. Ai nuk ishte në dhjetëshen e parë dhe për këtë arsye u pata tërheq. Për të u pata tërheq. Por, kisha gabu për shkak të tij”, tha Bazaj.

Naim Bazaj tha se është kthyer në AAK pasi që sipas tij njerëzit në këtë parti janë më njerëzor.

“Jam kthyer me një qëllim, me të vërtetë janë njerëz dhe lideri është një luftëtar i vërtetë. Është pak ma burrë se këta të tjerët edhe e mban fjalën”, tha ai për KALLXO.com.

Ai pati edhe disa fjalë për partinë që ia ktheu shpinën.

“Ata që i kam lënë janë një ndër mashtruesit që s’i ka kurrkund Kosova”, tha Bazaj.

Ditë më parë deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj kishte publikuar një foto me Bazajn, duke e lënë mbishkrimin “Me mikun tim”.

Mospajtimet e Bazajt me PDK-në kishin filluar qysh nga nominimi i Ramiz Lladrovcit për kryetar komune nga kjo parti. Kjo kishte bërë që Bazaj të kandidonte si kandidat i pavarur për të parin e kësaj Komune.

Por largimi i tij erdhi pas fitores së kryeshefit të Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha si i pari i PDK-së në Drenas.

Ai për KALLXO.com kishte thënë se në procesin zgjedhor ka ndikuar kryetari i partisë njëherësh kryeparlamentari, Kadri Veseli dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.