Arbërie Nagavci - Foto: KALLXO.com

Nagavci Përgënjeshtron Çaushin: S’ka Pasur Antifushatë në Gjakovë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci i ka mohuar zërat se në zgjedhjet e qershorit ka pasur antifushatë ndaj saj në Gjakovë.

Në letrën e dorëheqjes së deputetit, Driton Çaushi, ai shkruan se ndaj tij dhe ndaj deputetes tjetër të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka pasur një antifushatë në zgjedhjet parlamentare të qershorit nga një grup i aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë.

“Në fushatën e zgjedhjeve parlamentare në Qershor, kishte një antifushatë të qartë ndaj meje dhe Arbërie Nagavcit nga një grup i aktivistëve në Gjakovë. Shpifje të ulëta, fushatë denigruese brenda dhe jashtë organizatës, gjithnjë në kuadër të luftimit të armikut imagjinar. Një përvojë neveritëse dhe tepër zhgënjyese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, tha Çaushi.

KALLXO.com ka kontaktuar deputeten Nagavci, e cila thotë se nuk ka pasur antifushatë ndaj saj në zgjedhjet e qershorit.

“Zgjedhjet e kanë atë presionin e vet edhe gjithmonë mundet me pasë gjana që mundem mos me na pëlqy. Nuk kisha thonë që ka pasur antifushatë, unë e vlerësoj kountributin e secilit aktivist”, tha Nagavci për KALLXO.com

Ajo thotë se e respekton vendimin e tij, por shton se Çaushi s’ka pasur nevojë të flasë për të.

“Me Dritonin kam pasur bashkëpunim shumë të mirë dhe e vlerësoj por mendoj që s’ka qenë e nevojshme të më përmend mua. Ai mundet me folë për veti, unë atë se çfarë kam me thanë, e them vet”, shtoi  Nagavci për KALLXO.com.

Sot pasdite, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje.

http://kallxo.com/driton-caushi-jep-doreheqje/