Konferenca për media e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Nagavci: Kemi Përmbushur Objektivat për Arsimin Parafillor

“Në Komunën e Prishtinës kemi 519 fëmijë në çerdhet me bazë në komunitet, që tregon se është rritur për 1/3 numri i përfshirjes së fëmijëve në çerdhe”, tha ajo në një konferencë për media.

Nagavci shtoi se në bazë të legjislacionit në fuqi dhe në bazë të premtimeve të kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, është krijuar mundësia për të filluar me një formë të re për herë të parë në Republikën e Kosovës, e cila parasheh që këto çerdhe të jenë një mundësi për fillimin e shkollimit në moshë të hershme.

Ndërsa, Fitore Pacolli, drejtuesja e Kabinetit të Kryetarit të Komunës, foli për modelin e çerdheve me bazë në komunitet, i cili funksionoi shume mirë në komunën e Prishtinës.

Sipas saj, pas funksionimit të këtij modeli në 5 çerdhe Komuna ka filluar procedurat për ndërtimin edhe të 5 çerdheve të tjera të të njëjtit model.

“Shpresojmë që deri në fund të këtij mandati të kemi së  paku 10 çerdhe të reja në komunën e Prishtinës”, tha Pacolli.

Ajo theksoi se këto çerdhe do të ndërtohen në Tophane, Kodër të Trimave, Bardhosh, Kalabri dhe Kolovicë.

Në këtë takim ishin prezentë edhe drejtorët e çerdheve me bazë në komunitet në Prishtinë, të cilët treguan për problemet me të cilat përballen ato.