Naftëtarët kundër pastrimit të rezervuarëve çdo 3 vjet

Kompanitë që merren me tregtimin e derivateve të naftës në Kosovë, kanë dalë kundër Udhëzimit Administrativ të MTI-së, i cili i obligon t`i pastrojnë rezervuarët në çdo tre vjet.

Naftëtarët të martën (30.07.2019) kanë mbajtur konferencë për medie në lidhje më Udhëzimin e ri Administrativ të nënshkruar nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Kryetari i shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani, tha se Udhëzimi Administrativ i nënshkruar dje nga ana e ministrit Endrit Shala është skandaloz, sepse pastrimi i rezervarëve të naftës për çdo 3 vjet është i panevojshëm dhe ka kosto të lartë.

“Pastrimi i rezervarëve nuk i shkon në favor qytetarëve vetëm në dëm, sepse ky pastrim i rezervarëve shkon deri në 700 euro”, tha ai.

Berjani tha se MTI madje kishte tentuar që çdo vjet të ketë pastrim të rezervarëve e cila sipas tyre nuk ka logjikë.

“Ne kemi pranuar që pastrimi i rezervarëve të bëhet për 5 vite, ministria ka tentuar që çdo vit me pas pastrim të rezervarëve, nuk ka logjikë, ne ju kemi drejtuar ministrit me shkresë që të tërhiqet udhëzimi administrativ sepse po i bëhet një masakër këtij sektori”, tha Berjani.

Ai tha se Shoqata e ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës nuk do ta pranoj këtë Udhëzim Administrativ.

“Kjo nuk është në rregull që pastrimi i rezervarëve të bëhet çdo 3 vjet, ne nuk e pranojmë këtë udhëzim administrativ dhe ne nuk kemi ku të ankohemi sepse qeveria është në largim, ne jemi për standardet e BE dhe duam të punojmë mbi ligjet e BE-së”, tha Berjani.

Anton Figel naftëtar nga Sllovenia tha se në këtë shtet veprohet sipas standardeve të BE-së dhe pastrimi i rezervarëve bëhet çdo 15 vite.

Sipas tij vendimi i fundit i MTI-së është pa logjikë dhe i tepruar, e sidomos vendimi i marrë nga një ministër në largim.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë njoftoi dje (29.07.2019) se ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ me të cilin obligon kompanitë që tregtojnë derivate në tregun tonë t’i pastrojnë rezervarët e derivateve çdo 3 vjet.

Sipas publikimit të ministrit Endrit Shala pastrimi i rezervarëve do të ndodhë për herë të parë në Kosovë.

Sipas tij për 20 vjet ministria ka pranuar ankesa për cilësinë e naftës, por asnjëherë nuk kanë obliguar kompanitë që t’i pastrojnë rezervarët në të cilat mbajnë këto derivate.

 

https://kallxo.com/mti-obligon-kompanite-qe-te-pastrojne-rezervaret-e-derivateve/

.