Foto: BI/News24

Nacionalistët grekë vërshojnë fshatin shqiptar për funeralin e Konstandin Kaçifas

Ultranacionalistët grekë u bashkuan në një fshat në jug të Shqipërisë të enjten për funeralin e Kostandinos Kaçifas, i cili vdiq në një shkëmbim zjarri me Policinë shqiptare.

Gjatë ceremonisë, policët qëndruan larg për të shmangur tensionet.

Disa qindra grekë, disa prej të cilëve mbanin shenja antishqiptare dhe anti-maqedonase, morën pjesë në funeralin e Konstandin Kaçifës të enjten në fshatin Bularat në Shqipërinë jugore, duke e përshëndetur atë si një hero kombëtar.

Media raportoi se disa autobusë dhe automjete të tjera udhëtuan nga qytete të ndryshme në Greqi përtej kufirit në Shqipëri.

Disa nga udhëtarët këndonin slogane anti-shqiptare dhe tundnin një flamur grek mbi të cilin thuhej: “Epiri i Veriut është Greqia dhe Maqedonia është Greqi”.

Bashkia lokale e Dropullit tha se kishte vendosur të mbulonte koston e funeralit, sepse familja e viktimës ishte në nevojë.

Kaçifa, 35 vjeç, u vra nga policia shqiptare pasi ai hapi zjarr me Kallashnikov më 28 shtator, kur Bularati festonte Ditën Oxi, një festë kombëtare në Greqi që përkujton fillimin e Luftës greko-italiane në 1940.

Pas vrasjes, nacionalistët grekë organizuan protesta dhe u shënuan disa incidente të urrejtjes dhe sulme ndaj pronës shqiptare në Greqi.

Para varrimit, Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes Civile u bënin thirrje pjesëmarrësve në funeralin “të tregonin përmbajtje”.

Mediat shqiptare që raportonin nga fshati thanë se policia nuk ishte e pranishme për funeralin, duke u përpjekur të lehtësonte tensionet.

Funerali përfundoi pasdite pa incidente.

Nacionalistët grekë pretendojnë prej shumë kohësh Shqipërinë jugore, të cilën ata e quajnë Vorio-Epir.

Jugu i Shqipërisë historikisht ka qenë një zonë me një popullsi të përzier, shqiptare e greke.

Shqiptarët u dëbuan në disa valë nga ana greke e kufirit gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të, me dëbimin më të madh të regjistruar në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur rreth 30,000 njerëz u detyruan të zhvendoseshin në Shqipëri. Ata njihen si çamë.

Në regjistrimin e vitit 1989, në Shqipëri kishte rreth 60,000 grekë etnikë, të përqendruar në rreth 100 fshatra përgjatë kufirit me Greqinë.

Popullsia greke në Shqipëri është zvogëluar gjatë tre dekadave të fundit për shkak të migrimit masiv nga zonat rurale në qendrat urbane në Greqi, si dhe brenda Shqipërisë. Në regjistrimin e vitit 2011, në Shqipëri janë rreth 24,000 grekë.