Muzikë në burg: Brenda qendrës ku të miturit edukohen përmes muzikës

Nuk pati nevojë për më shumë se 15 minuta provë disa të mitur prapa grilave ta mësojnë një këngë për ta interpretuar.

Të miturit e Qendrës Edukuese Korrektuese në Burgun e Lipjanit tash e dy javë po mbajnë trajnim për instrumente muzikore.

Një organizatë jo- qeveritare “Balcony Band & Alfa-Omega” ka vendosur që vullnetarisht, Qendrës Edukuese Korrektuese në Lipjan, t’i shtojë edhe një aktivitet tjetër.

Çdo të diele, një ekip prej pesë personash, vijnë në hapësirat e burgut në Lipjan dhe i trajnojnë të miturit si t’i përdorin instrumentet.

KALLXO.com, ka qëndruar të dielën në hapësirat e QEK-ut, ku edhe ka ndjekur trajnimin e të miturve.

Në Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan nuk ka të mitur të cilët kanë vepra të rënda.

Ata me vepra të rënda, qëndrojnë në Qendrën Korrektuese të Lipjanit, i cili gjendet vetëm disa metra larg Qendrës Edukuese.

Drejtori i Qendrës Edukuese të Lipjanit, Arif Beqa ka thënë për KALLXO.com se qendrës që drejton i janë shtuar aktivitetet shumë, duke shtuar se këto aktivitete zhvillohen në mënyrë vullnetare.

“Qëllimi është që të aftësohen, të mësohen dhe t’i përdorin veglat muzikore por njëherit ky bendi sjellin, edhe këngëtar të ndryshëm në mënyrë që të miturit të relaksohen, që ta ndjejnë më lehtë qendrën, burgun dhe të aftësohen për riedukim”, tha Beqa.

Sipas drejtorit, aktivitetet e ngjashme janë janë lloj terapie, ndërsa tregon tutje se të miturit në Qendrën Edukuese kanë shprehur vullnet të mësojnë instrumente.

“Ka interesim të të miturive, sidomos për muzikë sepse muzika siç e dimë është rehabilituese dhe ndikon tek të miturit”, shtoi Beqa.

Drejtori gjithashtu bëri ftesë për të gjithë organizatat jo qeveritare që kanë aktivitete, të u ndihmojnë të miturve.

Një i mitur i cili, vijoi kursin e instrumenteve muzikore tregon për KALLXO.com se aktiviteti është i qëlluar.

“Mua ky aktivitet me bëri të ndihem mirë, 15 minuta kemi ushtru me kitare edhe për 30 minuta e kemi bo një tingull dhe një muzikë”, tha i mituri.

Ai shtoi se kitara është një instrument i preferuar i tij, ndërsa theksoi se kur të përfundoj masën edukuese në Qendrën Edukuese në Lipjan, do të merret me muzikë.

Nazmi Latifi i cili vijon mësimet në Gjimnazin “Naim Frashëri” në Shtime, është njëri nga trajnuesit për instrumente.

Ai për KALLXO.com tregoi se punën e tij vullnetare e bën me qejf.

“Është një aktivitet që kemi dashtë me ju ndihmu këtyre shokëve tonë, me ngjall artin në shpirtin e tyre, që pasi që të dalin prej këtu me e zhvillu artin jashtë dhe me e promovu vetën në këtë fushë”, tha gjimnazisti i cili tregon se vullneti tek të miturit nuk mungon ndërsa thekson se të njëjtit janë shumë të mençur dhe mësojnë shpejt.