Mustafa thotë se Janë të Pamundura Bordet Jopolitike

“Kemi arritur të kompletojmë pjesën më të madhe të agjencioneve të pavarura, kishte shumë ankesa dhe kritika, por nuk ishte qëllimi jonë që t’i politizojmë, mirëpo nuk kemi asnjë gjë jopolitike në Kosovë,” tha Mustafa.

Kryeministri mori pjesë në konferencën informuese për zhvillimin e sektorit privat në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël” të organizuara nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

KALLXO.com dhe Gazeta Jeta në Kosovë shkruan për përfshirjen e njerëzve të politikës nëpër bordet e ndërmarrjeve.

ZRrE e Pushtuar nga Partitë në Pushtet

http://kallxo.com/ne-bordin-e-iber-lepencit-edhe-djali-i-sami-lushtakut/

Mustafa foli edhe për perceptimin e korrupsionit.

“Po ashtu, jemi të atakuar shumë nga ndërkombëtarët dhe nga shoqëria civile për pjesëmarrje të madhe të korrupsionit dhe për perceptim të madh të tij. Ne këtë perceptim duhet ta zhdukim ngase na ndihmon në besimin e investitorëve të jashtëm,” tha Mustafa.

Raporti i Progresit i publikuar në tetor të 2015-ës në 69 faqet e tij për Kosovën korrupsionin e përmend plot 66 herë, duke thënë se Kosova ndodhet në fazë të hershme të luftimit të kësaj dukurie.

http://kallxo.com/fazat-e-hershme-te-kosoves-ne-luften-kunder-korrupsionit/

Mustafa në konferencën e KIESA-s tha se nuk janë plotësuar vetëm dy kritere për liberalizim vizash.

“Sa u përket kritereve për liberalizimin e vizave janë plotësuar tërësisht. Kanë mbetur vetëm dy çështje që të përmbushen, vendosja e Avokatit të Popullit në objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi i Kuvendit të Kosovës lidhur më zgjedhjen e anëtarëve në bordin e OShP-së, ku tashmë edhe janë propozuar emrat për kompletimin e këtij bordi,” sqaroi Mustafa.

Sipas fjalëve të Kryeministrit Mustafa, Kosova në muajin shkurt pritet që ta marrë rekomandimin pozitiv për liberalizmin e vizave.

Qeveria do të dalë me një raport për plotësimin e kritereve më 15 janar.

http://kallxo.com/qeveria-me-raport-per-kriteret-e-liberalizimit/

Kryeministri foli edhe për nënshkrimin e MSA-së dhe zhvillimin ekonomik.

“Ne si qeveri kemi arritur të krijojmë një qëndrueshmëri buxhetore. Në mënyrë specifike në vitin e kaluar kemi arritur te nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim (MSA), duke iu dhënë mundësinë prodhueseve vendorë të marrin pjesë në tregun evropian. Gjithashtu, ne kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” që është investimi më i madh nga paslufta në Kosovë,” tha Mustafa.

Ai bëri të ditur se qeveria ka hapur 16 mijë vende pune dhe 2 mijë e 500 persona gjatë kësaj kohe janë punësuar në bujqësi.

“Në fushën e bujqësisë ne kemi akorduar 43 milionë euro nga subvencionet dhe bankat, të cilët kanë përfituar 38 mijë fermerë. Kemi aprovuar Ligjin mbi Garancinë Kreditore. Nga reforma fiskale, në vitin 2014, kemi arritur të inkasojmë të hyra 113 milionë euro, krahas kësaj ne kemi aprovuar dhe kemi filluar të zbatojmë ligjin për faljen e borxheve si për institucione shtetërore, ashtu edhe për ndërmarrjet publike,” tha Mustafa.

Në konferencë përveç Mustafës morën pjesë edhe anëtarë tjerë të kabinetit të tij-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, ai i Ekonomisëp dhe Financave Avdullah Hoti dhe ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi.

Në pjesën e dytë të kësaj konference është zhvilluar debati me bizneset pjesëmarrëse mbi barrierat dhe mundësitë e përkrahjes së bizneseve. Kjo pjesë ishte e mbyllur për media.