Takimi Mustafa_Kerry | Foto: Zyra e Kryeministrit

Mustafa Takoi John Kerry-n

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Kryeministria takimi Mustafa-Kerry ka qenë i shkurtër, ndërsa ka ndodhur gjatë kohës sa Mustafa po qëndron në New York, ku po zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Kryeministri Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, gjatë bisedës e falënderoi sekretarin Kerry për përkrahjen dhe përkushtimin e SHBA-ve për Kosovën si dhe diskutuan për zhvillimet në Kosovë dhe rajon,” thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Komunikata njofton edhe për takime tjera të Kryeministrit Mustafa.

“Gjatë vizitës në Nju Jork, Kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar takime me drejtues të shumë shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë disa shtete që ende nuk e kanë marrë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës,” sqarohet më tutje në komunikatë.

Komunikata bën me ije se Mustafa u takua edhe me sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, të cilit i kërkoi angazhim për njohje të reja për Kosovën dhe për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Sipas komunikatës, një takim të veçantë Kryeministri Mustafa e zhvilloi me shefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Dana Hyde.

Kosova është përzgjedhur nga kjo organizatë amerikane në mesin e pak shteteve që mund të përfitojnë nga ndihma prej saj.

“Kryeministri Mustafa theksoi rëndësinë që ka për Kosovën përfshirja në programin e MCC-së, duke shprehur përkushtimin për përmbushjen e të gjitha kritereve. Kryeministri Mustafa, po ashtu, foli edhe për perspektivën që hap për Kosovën përkrahja e projekteve nga MCC-ja,” thuhet në komunikatë.

Mustafa u takua edhe me zyrtarë të shteteve tjera dhe përfaqësuesit e rrjetit të bizneseve të diasporës.