Mustafa: Serbët e Kosovës S'ka Nevojë t’i Mbrojë Beogradi

Kryeministri Isa Mustafa u është drejtuar qytetarëve të Republikës përmes një mesazhi të postuar në profilin e tij në “Facebook” rreth zhvillimeve më të fundit në vend dhe sidomos pas kërcënimeve që vijnë nga udhëheqësit shtetërorë të Serbisë.

Mediat beogradase citojnë presidentin serb, Tomisllav Nikoliq, të ketë thënë se nëse rrezikohen jetët e serbëve të Kosovës si komandant suprem i forcave të armatosura është i gatshëm të nisë ushtrinë drejt Kosovës.

Ndërsa, kryeministri kosovar Isa Mustafa ka thënë se institucionet e Kosovës janë të interesuara që të gjitha çështjet me fqinjët t’i zgjidhin përmes dialogut. “Konsideroj se koha e provokimeve, konflikteve dhe luftërave duhet të ketë shkuar”, ka shkruar shefi i Qeverisë.

Sipas Mustafës, provokimet të cilat kohëve të fundit në mënyrë sistematike po i bën shteti serb në Kosovë janë të papranueshme, të panevojshme dhe nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Në mesin e këtyre provokimeve ai ka përmendur kërkesën që deputetët dhe ministrat serbë në Kuvend, përkatësisht në Qeverinë e Kosovës, të përfaqësojnë dhe mbrojnë qëndrimet e Qeverisë së Serbisë, fletarrestet e lëshuara ndaj luftëtarëve të UÇK-së dhe arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë mbi këtë bazë, ndërtimi i murit në pjesën veriore të Mitrovicës nga Beogradi në bashkëpunim me strukturat e tyre paralele në Kosovë dhe së fundi tentimi që të futet një tren pa leje të institucioneve të Kosovës, i veshur me parulla që provokojnë qytetarët, ligjin dhe rendin kushtetues.

“Kosova është e interesuar të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, t’i integrojë qytetarët serbë në institucionet dhe në jetën demokratike të vendit, sikurse edhe të gjithë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë. Por, kjo gatishmëri duhet të përcillet me qëndrime konstruktive të Serbisë ndaj këtij procesi, si dy vende që aspirojmë të bëhemi pjesë e familjes së Bashkimit Evropian”, ka shkruar Isa Mustafa.

Duke aluduar, me gjasë, në deklaratën e presidentit Tomisllav Nikoliq, kryeministri Mustafa ka shkruar se serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë. “Ata nuk ka nevojë që t’i mbrojë Beogradi dhe t’i ndajë me mure nga qytetarët e tjerë, sepse në asnjë formë nuk janë të rrezikuar dhe nuk do të jenë të rrezikuar. Kemi nevojë të komunikojmë dhe të punojmë të gjithë për të ndërtuar një perspektivë të përbashkët evropiane”, thekson kryeministri në këtë adresim.

Po ashtu, Mustafa ka përsëritur se muri i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës do të rrënohet. “Ata që ndërtojnë mure në Ballkan nuk mund të jenë të dinjitetshëm për t’u bërë pjesë e Evropës pa mure (pa kufij)”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, kryeministri Mustafa ka theksuar se institucionet e Kosovës do të fillojnë me implementimin edhe të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, asociacion që, sipas tij, do të jetë pa përgjegjësi ekzekutive.