Takimi Mustafa- Johnson | Foto: ZKM

Mustafa- Senatorit: I jemi Mirënjohës Përjetë Amerikës

Në një takim me senatorin amerikan Ronald Johnson, kryeministri në detyrë Isa Mustafa ia ka shprehur atij mirënjohjen e Kosovës për ndihmën e ardhur nga Amerika.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin miqtë dhe përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës, prandaj u jemi mirënjohës përjetë”, tha Mustafa në takim me senatorin, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Senatori Ronald Johnson është anëtar i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas komunikatës, Mustafa shprehu “përkushtimin e qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të edhe në të ardhmen”.

Komunikata tregon edh çfarë tha senatori Johnson gjatë takimit.

“Senatori i SHBA-ve, Ronald Johnson, gjatë takimit, vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë gjatë këtyre viteve. Ai u interesua për proceset zhvillimore në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën”, thuhet në komunikatë.