Foto: Kallxo.com

Mustafa: Rugova është njeriu më i mirë që ka pasur skena politike në Kosovë

Qindra zyrtarë dhe simpatizues së LDK-së nderuan kujtimin dhe veprën e ish-presidentit Ibrahim Rugova në rastin e 13 vjetorit të vdekjes së tij.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në një akademi përkujtimore kanë kujtuar krijimtarinë politike dhe letrare të ish-presidentit Rugova.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u shpreh se Rugova do të njihet gjithmonë si një njeriu më i mirë që ka pasur ndonjëherë skena politike e Kosovës.

“13 vite më parë Kosova i dha lamtumiren e fundit presidentit të vetë, për ta pohuar edhe njëherë, prijësin, njeriut më të mirë, të urtë dhe konsistent që e ka pasur ndonjëherë skena politike në Kosovë. Në janarin e ftohtë të 2006-tës presidenti Rugova na la kur na duhej shumë dhe për ta kurorëzuar procesin historik të pavarësimit të Kosovës, por nuk na lë vetëm mbetëm me veprën e tij të madhe, filozofinë e tij kontribuues të paqes”, tha Mustafa.

Foto: Kallxo.com

“Presidenti Rugova ishte prijësi i cili e njoh si epoka e pavarësisë. Rugova i dhuroi Kosovës një krijimtari të çmuar letrare që nga fillimi i viteve 60-ta të shekullit 20 filozofia e tij politike dhe krijuese u vlerësuan lartë me shumë çmime dhe tituj ndërkombëtarë” shtoi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Fillimisht, LDK kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova në Velani, e ku të pranishëm ishin edhe shumë qytetar.

Në këtë rast, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se ai beson shumë në kulturën dhe ideologjinë që e ka lënë pas Rugova.

Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006 nga një sëmundje e rëndë.

Foto: Kallxo.com