Isa Mustafa

Mustafa për Lekajn: Të mendojë si prind, sa shoferë kanë blerë leje nga zyrtarët e tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, pasi ai sot për media ka thënë se opozita nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë por vetëm po tallet me qytetarët.

Mustafa është shprehur se me të vërtetë dikush po tallet me qytetarët, por jo opozita.

“Ministri Lekaj, derisa po gjykohen rreth 20 zyrtarë të tij për korrupsion, e ka gjetur të merret me opozitën. Vërtetë, dikush po tallet me qytetarët! Veç jo opozita”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka shtuar se “ministri do të ishte më mirë të mendojë, si prind që është, se sa janë nga shoferët me leje të blera nga zyrtarët e tij, që po vrasin fëmijët tanë nëpër rrugë”.

“Dhe të ndjej përgjegjësi. E jo të tregojë sesi duhet të mbetet në pushtet”, ka përfunduar Mustafa.

Më 5 korrik, Policia e Kosovës gjatë një operacioni ka arrestuar gjithsej 23 persona, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka njoftuar se më 22 janar të këtij viti, kishin pranuar këtë informatë nga pronari i një auto-shkolle me seli në Fushë Kosovë dhe nga disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në njoftimin e Policisë thuhej se gjatë kësaj periudhe kohore, kanë siguruar dëshmi relevante që lidhen me veprat penale.

“Sot, më 05.07.2019, është realizuar operacioni policor i fokusuar në këto lokacione: Ministria e Infrastrukturës-Departamenti për Patentë Shofer, një auto-shkollë në Fushë Kosovë dhe një ordinancë në Fushë Kosovë. Dyshohet se të dyshuarit u kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa kaluar nëpër testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave varësisht prej kategorisë së patentë shoferit (400 – 1000 €)”, thuhej në njoftimin e Policisë.

https://kallxo.com/zbulohet-skema-e-shitjes-se-patente-shofereve-ne-prishtine/

.