Kryeministri Isa Mustafa në takim me përfaqësuesit e OVL të UÇK-së - Foto: ZKM

Mustafa: Pensionet Veteranëve do t’u Paguhen në Mënyrë Retroaktive

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ua ka shpjeguar përfaqësuesve të OVL të UÇK-së vështirësitë ligjore për realizimin e pagesave të pensioneve të veteranëve luftëtarë për muajin gusht dhe muajt në vijim.

Sipas shefit të Qeverisë, pengesat për pagimin e pensioneve ndërlidhen me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Buxhetin, të cilin duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës, i cili ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Sa u përket fondeve, ato do të sigurohen me rishikim të Buxhetit, dhe veteranët do të realizojnë plotësisht të drejtat e tyre në pensionet që u takojnë, të cilat do të paguhen në mënyrë retroaktive”, tha kryeministri Mustafa në takimin me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të kryesuar nga nënkryetari Migjen Shala.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë këtij takimi është dakorduar që shuma e mbetur prej 1.7 milion euro në buxhetin e kategorisë së veteranëve të shpërndahet proporcionalisht dhe pagesa sipas kësaj shpërndarje të bëhet menjëherë.

Ndërsa, në mbledhjen e sotme të Qeverisë u bë e ditur se më shumë se 33 mijë veteranë nuk i kanë marrë pensionet e muajit gusht.

Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi tha se kjo ministri nuk i ka 4 milionë euro me të cilat është dashur të paguhen veteranët.

“Për muajin gusht shuma e pensioneve arrin 5 milionë e 784 mijë e 666 euro, atëherë del që kemi mungesë të shumës prej mbi 4 milion euro për muajin gusht. Janë 33 mijë 141 veteranë që nuk i kanë marrë pensionet e muajit gusht”, tha në mes tjerash ministri Kamberi.

Ministri në detyrë tregoi se shuma e ndarë për pensione thuajse tërësisht është harxhuar në periudhën janar-korrik 2017.

http://kallxo.com/mustafa-33-mije-veteranet-ti-marrin-pensionet/