Foto: Kallxo.com

Mustafa: Nuk dihet çka fshihet pas largimit të Alma Lamës

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas largimit të ish-ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama me kërkesë të presidentit, Hashim Thaçi.

Ai përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook ka thënë se kjo gjë është shume e dëmshme për jetën institucionale dhe ka vënë në dyshim se çfarë fshihet pas këtij vendimi.

“Largimi i zonjës Alma Lama nga pozita e ambasadores në Itali, me kërkesë të Presidentit, është një shembull i keq dhe praktikë e dëmshme në jetën institucionale. As Presidenti dhe as Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë dhënë arsyet për një veprim të tillë dhe nuk dihet se çfarë fshihet pas kësaj. Por do të ishte institucionale dhe njerëzore që mos të luhet me fatin e njerëzve, të fëmijëve dhe familjeve të tyre”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka shtuar se derisa ishte në krye të qeverisë nuk ka lejuar të bëhen veprime të tilla.

“Sa kam qenë unë Kryeministër nuk kam lejuar të ndërrohen njerëzit mbi baza politike e klienteliste ,në mënyrë të tillë, pa marrë parasysh se nga e cila parti kanë qenë. Unë jam i bindur se zonja Lama në Romë ka përfaqësuar me dinjitet shtetin e Kosovës, e jo partitë politike. Por, po ashtu, se nuk u ka shërbyer individëve”, ka shtuar Mustafa.