Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Mustafa: Mos të Debatojmë për AXOS-in

Asnjë deputetë nuk e tha asnjë fjalë në debatin parlamentar të iniciuar nga deputetja Magarita Kadriu në lidhje me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Kjo në fakt ishte edhe kërkesë e të parit të Qeverisë.

Por, kryeministri Isa Mustafa para deputetëve dha sqarime lidhur me proceset gjyqësore të Kosovës në Arbitrazh.

Para së të niste debati i supozuar, kryesuesi Xhavit Haliti tha se Kuvendi ka kërkuar nga Qeveria informata në lidhje me këto procese, por se deri sot Kuvendi nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Në fjalën e saj para deputetëve, deputetja Kadriu tha se kërkesën për debat e kishte bërë dy muaj më parë.

“Përkundër faktit që ta shtrojmë si çështje urgjente rrezikun që po i kanoset buxhetit të Kosovës me hiç më pak se 500 milionë euro, ky debat i thirrur para dy muajsh po mbahet tek sot”, tha ajo.

Por, kryeministri Mustafa njoftoi deputetët në lidhje me kontestet që Kosova ka në Gjykatën e Arbitrazhit. Ai kërkoi nga deputetët të mos debatojnë me arsyetimin se “pala që ka paditë mund të shfrytëzojë debatin në procesin e arbitrazhit”.

Mustafa përmendi rastin e pasaportave ku shtypshkronja austriake e kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit, me ç’rast është dënuar me 5 milionë e 300 mijë euro.

Sipas Mustafës, Qeveria e Kosovës është ankuar në Gjykatën e Apelit dhe tashmë pritet një vendim për këtë çështje. Kjo ankesë është refuzuar nga instanca e parë.

Lëshimet që Mund t’i Kushtojnë Miliona Kosovës

Rasti i dytë ndërmjet “DardaPhone” dhe Telekomit të Kosovës, çështje e dërguar në Gjykatën e Arbitrazhit, sipas Mustafës, deri në fund të dhjetorit do të bëhet publik vendimi nga Gjykata. Ai shtoi se Telekomi beson se padia e “Dardaphone” do të refuzohet.

Mustafa ka treguar edhe për procesin e shitjes së PTK-së, ku kompania AXOS e ka paditur Qeverinë në Arbitrazh.

“Kompania ‘Patenbox’ do të dërgojë përgjigjet për ‘AXOS’ ndërsa Qeveria do të angazhohet për të mbrojtur sa më mirë këtë çështje. Ky problem është i trashëguar dhe se jam i bindur se do të fitojmë”, tha Mustafa.

Kryeministri kërkoi që në seancë të mos bëhet debat për AXOS-in, por secili deputet që dëshiron mund t’i shikojë dosjet në ministrinë përkatëse.

Pas kësaj, asnjë deputet nuk mori fjalën, por ishte parashtruesja e kërkesës për debat, Margarita Kadriu që iu drejtua atyre.

“Të nderuar deputetë jeni të paparë. Të flitet për rrezikun që po i kanoset buxhetit, e të injorohet kaq shumë, unë nuk kam çka me thanë ma shumë”, theksoi ajo.

Ajo dha edhe rekomandime, ndër tjera që Qeveria të kërkojë nga Prokuroria të nisë hetimin nëse zyrtarët e përfshirë kanë vepruar mbi ligjin dhe ta njoftojë Kuvendin, por të cilat nuk u votuan në mungesë kuorumi.

Në këtë vazhdim seance nuk mori pjesë opozita, e cila gjatë ditës e bojkotoi atë.