Mustafa: LDK nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje që prek kufijtë e Kosovës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në prag të Samitit të Berlinit ka thënë se LDK nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje e cila prek kufijtë e Kosovës, shtetësinë dhe karakterin unitar të vendit.

“LDK-ja, si parti më e madhe në vend, është shprehur qartë për nevojën e një marrëveshjeje të qëndrueshme, sikurse që ka qenë dhe është e qartë se nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje e cila prek kufijtë e Kosovës, shtetësinë e shpallur me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, karakterin unitar të vendit dhe që është e rrezikshme për regjionin dhe më gjerë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Mustafa ka shkruar se Procesi i Berlinit, i ideuar nga kancelarja Merkel, ka shtyrë përpara rrjedhat e bashkëpunimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, po ashtu, ka krijuar rrethana të reja të komunikimit ndërmjet këtyre vendeve. Takimi i nesërm në Berlin është i dobishëm për të dinamizuar këtë proces.

“Jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shumë punë për tu evropianizuar institucionalisht”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për përkrahje të Gjermanisë dhe të Francës, tani si vende boshte të BE-së. Sikurse që i nevojitet partneritet i fortë me ShBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar për të arritur Marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. 

“Kur Kosova është e qartë në qëndrimet e saj, dhe mendoj se pjesa dërmuese e subjekteve janë të qarta, e ka më lehtë edhe në Berlin edhe në Washington, ua lehtëson punën edhe miqve tanë”, ka përfunduar Mustafa.