Mustafa: LDK-ja nuk ka kandidat për kryetar apo kryetar në largim

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se zgjedhjet e brendshme në LDK synojnë forcimin e mëtejmë të partisë që sipas tij gëzon besimin më të madh në Kosovë.

Mustafa përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, tha se po informohet çdo ditë se është duke u zhvilluar një proces i suksesshëm dhe demokratik.

Siaps tij ka edhe interesim të gjerë për anëtarësime të reja në LDK.

“Fokusimi ynë është në zgjerimin e LDK-së, në zgjedhje të suksesshme në nëndegë dhe në degë. Kandidimet për kryetarë të degëve dhe për Kryetar të LDK-së, sipas Statutit, do të bëhen në Kuvendet e degëve, përkatësisht atë qendror të LDK-së”, tha Msutafa.

I pari i LDK-së shtoi se deri tani nuk ka kandidatë për kryetarë e as kryetarë në largim.

“Zgjedhjet i fillon dhe i kryen LDK-ja duke e respektuar vullnetin e shumicës. Ky vullnet do të dihet pasi të përmbyllet procesi në degë. Prandaj kandidatët i shpall LDK-ja duke respektuar vullnetin e çdonjërit. Do tu isha mirënjohës gjithë atyre që e respektojnë këtë proces”, përfundoi Mustafa.

Ndryshe, LDK-ja ka filluar me procesin e zgjedhjeve të brendshme.

Mustafa, gjatë një konference në mars të këtij vitit tha se në nëntor e kanë aprovuar platformën e zgjedhjeve, që nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhje të brendshme por edhe me zgjedhje të përgjithshme.

“Në kryesinë e LDK-së e kemi aprovu agjendën e zgjedhjeve, fazën e parë do ta fillojmë me 22 degë, ndërsa me fazën e dytë me 16 degë tjera dhe të vazhdojmë me degët në diasporë. Objektiva jonë është të forcohet LDK-ja. Bashkërisht kemi vlerësuar se kemi diskurs, unitet i cili është i qëndrueshëm brenda partisë dhe zgjedhjet janë të rëndësishme edhe për Kosovën”, kishte deklaruar Mustafa.