Isa Mustafa | Foto: RTV 21

Mustafa - kundërshtarëve të demarkacionit: Kush ju qiti fall sot s’po kërkoni që kufiri të kthehet në Çakorr e në Zhleb

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa në 1 vjetorin e ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Serbinë është përkujdesur që t`i ‘zgjoj’ nga gjumi të gjithë ata që e kundërshtuan këtë marrëveshje gjatë qeverisjes së LDK-së.

“Ku është kufiri i Kosovës me Malin e Zi? E shtroj këtë pyetje, 365 ditë pas ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi. Për aq sa mbaj mend, nga vjeshta e vitit 2015 e deri në fund të vitit 2016, duke marrë shkas nga kjo Marrëveshje, u organizuan veprime të dhunshme dhe kriminale nga ata që ndërtuan kauzën se Kosova me këtë marrëveshje po humb 8200 hektarë”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Tutje Mustafa në postimin e tij ka përmendur të gjitha trazirat që shënuan votimin e kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës.

“U pengua puna e Kuvendit duke hedhur gaz lotësjellës, shishe të ujit e sprej të syve; nga gurët dhe objeket e forta të protestuesve u plagosën shumë policë, disa edhe me pasoja afatgjata; iu vënë flaka me shishe molotovi ndërtesës së Qeverisë, u sulmua me minahedhës ndërtesa e Kuvendit; u sulmuan ministrat me vezë në rrugë, u gjuajtë bombë në ndërtesën e RTK-së dhe te kryetari i Komisionit shtetëror për shenjimin e vijës kufitare”, theksoi ai.

Mustafa poashtu përmendi edhe vështirësitë dhe kërcënimet që i ka marrë si kryeministër.

“Unë dhe eskorta ime, e kryeministrit, për mbi tetë muaj rresht u sulmuam. Një hërë me gurë nga pusia në të dalë nga Suhareka. Parreshtur u gjuajtëm me vezë, me sfera me ngjyrë, me iriq metalik, të punuar enkas për atentat ndaj meje në rrugën që qonte në shtëpinë time në Prishtinë. U sulmua shtëpia ime nga protestuesit me shishe të molotovit. Ii vënë flaka, kur ishte vetëm bashkëshortja ime aty”, tha ai.

Sipas tij pavarësisht të gjitha deklaratave e veprimeve sot kufiri estet ende i njëjte duke shtuar se pse sot nuk flasin deputetët që e kundërshtuan.

“Kufiri mbeti aty ku ishte me Marrëveshje. Shpejtim Bulliqi, i cili me një grup i doli në krah z. Haradinaj për kauzën e tij të rrejshme, u bë kryetar i Komisionit. E z. Haradinaj, Kryeministër. Tani heshtin, nuk veprojnë, veç se e ushqejnë me para Komisionin e tyre. Heshtin të gjithë ata që i zënin ekranet televizive dhe mediat tjera kundër Marrëveshjes së demarkacionit. Heshtin edhe deputetët, të cilët atëherë me popullizëm të pashoq kundërshtonin marrëveshjen. Disa prej tyre edhe tani deputet e disa jo”, ka shtuar ai.

I pari i LDK-së ka thënë që sot nuk do të heshtë, por do t`i pyes se ku janë sot  të gjithë ata që e organizuan kauzën e rrejshme për të kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi.

Madje ai nuk i la pa i pyetur edhe kolegët e tij nga LDK-ja të cilët e kundërshtuan marrëveshjen.

“Aty ku ju, pas gjithë asaj katrahure që ia shkaktuat vendit dhe asaj marrie, e gëlltitët dhe e votuat. Pyes Kryeministrin e vendit, Qeverinë, Kuvendin, Komisionin shtetror.  Valla, e ndjej të nevojshme por edhe përgjegjësi para opinionit dhe anëtarësisë së LDK-së, të pyes edhe disa deputet të LDK-së, partisë që unë e drejtoj, pse me aq popullizëm e kundërshtuan demarkimin kur LDK ishte në krye të Qeverisë, e me aq dashuri e votuat, kur LDK u rrëzua nga Qeveria”, tha ai.

Sipas Mustafës tani të gjithë ata që e kundërshtuan marrëveshjen duhet ta pranojnë se me vendimin e tyre i lanë qytetarët e Kosovës pa viza.
“Pse nuk po iu dëgjohet zëri sot? Pse sot s’po kërkoni që kufiri të kthehet në Çakorr e në Zhleb? Çfarë ndodhi me ju? Kush ju qiti fall?  Pranone, gjithë ju, se e keni pasur vetëm për vota dhe pushtet. Pranone edhe fajin që i morët në qafë qytetarët dhe i privuat nga liberalizimi i vizave për shkak të egos tuaj”, theksoi ai.

 

https://kallxo.com/albin-kurti-ngacmon-haradinajn-ne-1-vjetorin-e-ratifikimit-te-demarkacionit/

.