Mustafa: Komunat e Ndihmuan Liberalizimin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha sot se objektiv i ekzekutivit është që qeverisja lokale të afrohet sa më shumë me qytetarin në mënyrë që së bashku të ecin proceseve të integrimeve evropiane.

Mustafa, i cili ishte prezent në konferencën “Orientimet Strategjike të Qeverisjes Lokale 2016 – 2026”, ka thënë se komunat deri më tani kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave.

Sipas tij, sot zyrtarisht po e fillohet implementimi i strategjisë për vetëqeverisje lokale për periudhën e ardhshme 10-vjeçare. Mustafa theksoi se pret rezultate të reja.

“Komunat deri më tani kanë bërë një hap shumë të rëndësishëm të këtij përafrimi evropian, veçmas me përmbushjen e detyrimeve dhe të shumë kritereve që janë shtruar para komunave për liberalizimin e vizave dhe që kanë qenë përgjegjësi e veçantë për pushtetin lokal”, tha shefi i Qeverisë.

Mustafa tha më tej se bashkërisht do ta bëjnë më të lehtë qasjen e qytetarëve në shërbimet e pushtetit lokal.

“Ta përmirësojmë infrastrukturën fizike dhe ambientale dhe të eliminojmë çdo formë të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Kosova është stigmatizuar, njollosur me perceptimin për korrupsionin e lartë. Gjithë ne duhet të punojmë ta heqim këtë njollë nga ne, të krijojmë kushtet që çdo qytetar ta bëjë punën e tij në harmoni me ligjin”, theksoi Mustafa.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq, tha se kjo Ministri ka adresuar shumë përpjekje në hartimin e politikave dhe legjislacionit të pushtetit lokal në Kosovë për të përforcuar dhe për të funksionalizuar edhe më tutje komunat.

“Përkundër gjitha sfidave jemi të përkushtuar që të vazhdojmë reformën e pushtetit lokal në Kosovë”, tha Mariq.

Ndërkaq, ambasador i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean Claude Schlumberger, tha se kanë punuar me Ministrinë dhe Qeverinë në kuptimin e koordinimit në të gjitha nivelet e Qeverisë, pastaj me organizata të shoqërisë civile dhe organizata vendore e ndërkombëtare.

“Jemi përpjekur për të avancuar multietnicitetin, transparencën, llogaridhënien, pjesëmarrjen publike, përafrimin me qytetarë, përfshirjen e tyre si dhe mosdiskriminimin e tyre në nivel lokal”, tha ai.

Schlumberger tha se do të vazhdojnë të promovojnë bashkëpunim edhe më të rritur mes komunave dhe Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.