Mustafa Kërkon Protestë Paqësore

Mustafa tha se askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë për motive politike dhe për ardhje në pushtet.

Edhe më i ashpër ishte zëvendësi i Mustafës dhe ministri i jashtëm Hashim Thaçi.

“Kërcënimi me protesta do ta pengonte liberalizimin e vizave, formimin e forcave të armatosura do të lëndonte marrëdhëniet me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n,” tha Thaçi.

Thaçi deklaroi se në Kosovë është duke ndodhur ballafaqimi i dy koncepteve.

“Këto ditë kemi të bëjmë me një ballafaqim të konceptit të qeverisjes së mirë dhe properëndimore dhe atij anarkist të mosdurimit për të mos i pritur zgjedhjet. Të gjithë janë të bindur se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 2018,” tha Thaçi.

Sipas Thaçit se kush e udhëheq vendin vendosin qytetarët, e jo tre-katër liderë që protestojnë.

Qeveria në mbledhjen që nisi në orën 15 e 30 vendosi që në kontestin për privatizimin e PTK-së me kompaninë AXOS, ekzekutivin ta përfaqësojë kompania “Paton Box”.

Në prill të vitit 2013 Qeveria e Kosovës kishte shpallur fitues të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së për 277 milionë euro kompaninë “Axos Capital”, por qeveria e shtyri disa herë nënshkrimin e kontratës me këtë kompani, ndërsa në fund nuk e nënshkroi atë.

Pastaj këtë çështje ish-kompania fituese e ngriti për shqyrtim në Qendrën ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand stavileci, deklaroi në mbledhjen e qeverisë se përfaqësimi nga “Paton Box” në këtë kontest, do të kushtojë 17 mijë e 700 dollarë.

Ky përfaqësim sipas Stavilecit do të shmangë dëmin ligjor dhe atë në imazh që mund ta ketë Kosova.