Isa Mustafa gjatë fjalimit në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së - Foto: Facebook

Mustafa: I Kemi Realizuar 90% të Premtimeve

Lidhja Demokratike e Kosovës është duke e mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

Mbledhja po mbahet pa praninë e mediave.

Megjithatë, për media është lejuar vetëm një pjesë e kësaj mbledhjeje, gjatë të cilës i pari i LDK-së u është drejtuar të pranishmëve.

Isa Mustafa tha se LDK-ja duhet fillojë përgatitjet për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

“Duhet të fillojmë me përgatitjet për zgjedhjet lokale, të zbatohen ligjet, të mos ketë asnjë lëshim në zgjedhje dhe të krijojmë kushte që sa më shumë qytetarë të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Mustafa.

Në këtë mbledhje përveç që është duke u diskutuar për zgjedhjet lokale, aty do të diskutohet edhe për qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi liberalizimit të vizave dhe Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e ZI.

Mustafa vlerësoi si të suksesshme punën e Qeverisë që drejtohet nga LDK-ja por edhe të komunave që qeverisen nga i njëjti subjekt.

“Unë mund të ju siguroj se nga programi qeverisës kemi realizuar mbi 90% të premtimeve që i kemi dhënë për qytetarët në objektivat që kemi përcaktuar si zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit, integrimet evropiane dhe euroatlantike, arsim e shëndetësisë, që kanë qenë pika kryesore e prioritetet e Qeverisë së Kosovës”, tha në mes tjerash Mustafa.

Po ashtu, Isa Mustafa tha se në takimin e ardhshëm të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së do të diskutohet më konkretisht për prioritetet dhe detyrat që do i marrin për zgjedhjet lokale.