Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, në konferencën e Institutit Riinvest - Foto: KALLXO.com

Mustafa: Institucionet do ta Përkrahin ‘Riinvestin’

Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Instituti Riinvest, ku është prezantuar raporti Ambienti Biznesor në Kosovë 2016, ka marrë pjesë edhe kreu i Qeverisë në detyrë, Isa Mustafa.

Me këtë rast, kryeministri në largim tha fjalë të mira për Institutin ku ai ka aksione.

“Instituti Riinvest është një historik i pastër i vendit, është një ndër burimet kryesore të hulumtimeve që janë bërë në Kosovë. Përmes bashkëpunimit me institutet tjera, sot Kosova ka dhjetëra doktorë shkence dhe qindra magjistra të shkencave ekonomike”, tha Mustafa.

Gjatë fjalimit të tij ai shtoi se hulumtimet e këtij Instituti kanë kontribuar shumë në shtetndërtimin e Kosovës.

Isa Mustafa është aksionar në Institutin Riinvest së bashku me deputetin e LDK-së, Muhamet Mustafa, dhe me Ymer Havollin dhe Muhamet Sadikun.

Sipas Mustafës niveli i papunësisë në Kosovë ka pasur rënie nga 35 % në 27 %.

I ftuar në këtë konferencë ishte edhe zëvendëskryeministri në largim nga radhët e PDK-së, Hajredin Kuçi. Mirëpo, ai nuk ishte i pranishëm.

Për KALLXO.com, Kuçi tha se arsyeja e mungesës është një takim që e ka.

“Jam në takim se me dëshirë kisha marrë pjesë”, tha Kuçi për KALLXO.com.

Edhe pse Mustafa tashmë është kryeministër në largim, ai i premtoi Institutit Riinvest mbështetje nga institucionet.

“Unë ju siguroj se gjithmonë do të keni përkrahjen e institucioneve të Kosovës pa marrë parasysh ndryshimet që bëhen”, tha ai.