Foto: Kallxo.com

Mustafa ia numëron këshilltarët Haradinajt

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa i është bashkuar debatit në lidhje me numrin e madh të këshilltarëve të kryeministrit dhe të zëvendëskryeministrave.

Ai u është përgjigjur deklaratave që qeveria e drejtuar nga LDK-ja ka lënë prapa një numër të madh të këshilltarëve, duke thënë se ata që japin deklarata të tilla duhet ta dinë se Qeveria nuk lë pas vetes asnjë këshilltar.

Më poshtë statusi i plotë i tij:

Të dashur miq,

Ditë më parë u publikua se Kryeministri i tanishëm ka vendosur ti ketë 35 këshilltarë e disa zëvendëskryeministra nga 11. Nga kabineti i kryeministrit u arsyetua se edhe qeveria e drejtuar nga LDK ka lënë pas vetes numër të madh të këshilltarëve, flitej për qindra.

Ata që japin deklarata duhet ta dinë se qeveria që shkon nuk lë pas vetes asnjë këshilltar, pasi këta shkojnë me qeverinë (Kryeministrin, zv.kryeministrat dhe ministrat).

Në qeverinë time, Kryeministri i ka pasur 11 këshilltarë (të brendshëm e të jashtëm), zv.kryeministrat nga gjashtë dhe ministrat nga 5. Qeveria ka pasur rreth 40 zëvendësministra.

Numri tjetër prej rreth 400 të punësuarve pranë Zyrës së Kryeministrit janë punonjës të Agjencisë së Veterinarisë dhe të Institutit të Statistikës, për të cilit kishim iniciuar procedurat ligjore që të kalojnë në ministritë përkatëse, ashtu siç patëm vepruar me Agjencionin e arkivave.

Natyrisht se nuk është çështje ime të udhëzoj Kryeministrin e tanishëm se çfarë kabineti duhet të ketë, sepse kjo i përket llogaridhënies politike të çdonjërit që ushtron funksione politike. Por, e ndjej të nevojshme të sqarojë para opinionit realitetin. Edhe pse, një numër i përkrahësve të mi po më thonë, profesor mos u merr me ta.