Mustafa i zhgënjyer që qeveritë s'e përfshinë Luginën në marrëveshje

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Musta, ka thënë se ndihet i zhgënjyer që qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk përfshinë asgjë për Luginën e Preshevës në marrëveshjen e sotme për heqjen e taksës doganore dhe romingun, të firmosur në mbledhjen e përbashkët të Pejës.

“’Fondi i përbashkët për Luginën e Preshevës’ i themeluar nga dy qeveritë e atëhershme, në Prizren, më 2014 ishte një vendim inkurajues. Përderisa Lugina e Preshevës vazhdon të diskriminohet në të gjitha fushat nga Qeveria e Republikës së Serbisë, mbështetja e sotme e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare është edhe më jetike se dje, për shqiptarët në Serbi”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ai po ashtu ka thënë se qeverisja e re e Këshillit Kombëtar Shqiptar do të angazhohet për thellimin e komunikimit dhe të bashkëpunimit me kabinetet qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Modeli i bashkërendimit dhe bashkëveprimit të Këshillave Kombëtare Hungareze dhe Kroate me Budapestin dhe Zagrebin zyrtar, janë një shembull i mirë që mund të na shërbejë edhe neve në të ardhmen”, ka shtuar ai.