Takimi Mustafa-Kostiq | Foto: KALLXO.com

Mustafa: Graçanica Meriton Përkrahje

“Kemi arsye ta përkrahim Graçanicën në mënyrë që të ketë investime, të ketë punësim dhe se qytetarët e Graçanicës ta kenë perspektivën e tyre në Kosovë në këtë komunë dhe të jetë pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës,” tha Mustafa.

Gjatë takimit të tij me kryetarin e Komunës së Graçanicës Vladeta Kostiq, Mustafa tha se është munduar të mësojë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të këtushëm.

“Jemi munduar t’i koordinojmë punët sa i takon përkrahjes së qeverisë në kërkesat aktuale të cilat i ka komuna e Graçanicës,” shpjegoi Kryeministri.

Kryetari i Komunës së Graçanicës Vladeta Kostiq tregoi çfarë i tha Kryeministrit.

“E kemi njoftuar Kryeministrin me të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet bashkësia jonë lokale në Graçanicë. E kemi njoftuar edhe për planet infrastrukturore edhe me projektet që do të përfundojnë në planin afatshkurtër e afatmesëm, ndërsa për planet afatgjata nuk kemi biseduar, sepse ato plane realizohen vetëm nëse arrijmë rezultate të mira në planifikimin e buxhetit tonë,” tha Kostiq.

Mustafa tha se me punë kjo komunë e ka arsyetuar themelimin.

“Është një komunë e cila ka arritur të plotësojë qëllim se për çfarë është themeluar, sepse ka punuar mjaft shumë për ndërtimin e infrastrukturës edhe në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, po ashtu ka nevojë për një përkrahje më të madhe të qeverisë qendrore dhe të ministrive,” tha Mustafa.

Komuna e Graçanicës u themelua në vitin 2010 në bazë të obligimeve që Kosova i mori nga plani i Ahtisarit.