Mbledhja e qeverisë | Foto: ZKM

Mustafa Fton Listën Serbe për të Hartuar Statutin e Asociacionit

Kreu i Qeverisë i ka ftuar deputetët dhe ministrat e Listës Serbe që t’i kthehen punës në institucione në mënyrë që të fillohet me hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Si Kryeministër, kam tentuar tri herë t’i thërras përfaqësuesit e Listës Serbe në zyrën time, deputetë të kësaj liste, ministrat dhe ekipin menaxhues, e cila rezulton mbi bazën e marrëveshjes që është nënshkruar në Bruksel, për të filluar procesin e hartimit të statutit, ashtu siç është paraparë me këto marrëveshje dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për të proceduar me këto çështje, me këtë obligim, i cili është obligim yni”, ka thënë Mustafa gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.

Sipas Mustafës, është qeveria serbe ajo që po e zvarrit krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Në qoftë se kjo vazhdon të prolongohet në këtë formë, kjo tregon se ata nuk janë të interesuar shumë për këtë çështje që e hapin para nesh, por interesimi për me mbajt peng këtë çështje, si duket është më tepër i Serbisë, por nuk është në asnjë rast interesim i Kosovës”, ka thënë në mes tjerash Mustafa.

Partitë opozitare e kundërshtojnë marrëveshjen e Brukselit për krijimin e asociacionit. Shkaku i kësaj marrëveshjeje dhe asaj të demarkacionit me Malin e Zi,  partitë opozitare në shumë seanca të Kuvendit kishin hedhur gaz lotsjellës.

Ata gjithashtu protestuan disa herë në sheshet e Prishtinës duke i kundërshtuar këto.

Madje ato e kishin nisur edhe një peticion, ku kishin mbledhur rreth 250 mijë nënshkrime të qytetarëve që kundërshtonin këto marrëveshje.

Ekipi që do ta hartojë statutin e asociacionit do të përbëhet prej 2 kryetarëve të komunave të veriut, 2 prej komunave tjera me shumicë serbe, zyrtarëve të OSBE-së dhe Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal.

http://kallxo.com/4-serbe-osbe-e-mapl-e-hartojne-statutin-e-asociacionit/

http://kallxo.com/kushtetuesja-vendosi-per-asociacionin/