Isa Mustafa, Kryetar i LDK

Mustafa bën thirrje për bashkim të klasës politike për ta mbrojtur Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ngjarjet kombëtare e festat fetare i kanë bërë bashkë gjithmonë shqiptarët edhe në kohën e zhbërjes përgjatë historisë por veçanërisht në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Ai ka deklaruar përmes Facebook-ut se në këso ngjarjesh dhe festash shqiptarët nuk e kanë sulmuar njëri-tjetrin por i kanë shfrytëzuar dallimet e tyre të brendshme ndaj rrezikut të jashtëm.

“Edhe tani, kur po ballafaqohemi me tendencat e Serbisë për të shkallmuar një pjesë të territorit të Kosovës dhe për ta bërë jofunksional shtetin tonë të ri, kemi nevojë të veprojmë bashkërisht për ta mbrojtur atë çfarë të gjithë ne e kemi ndërtuar”, ka shkruar ai.

Sipas Mustafës, përgjegjësia i përket të gjithëve e veçanërisht atyre që u zotuan për këto përgjegjësi para qytetarëve të Kosovës.

Më së paku ka rëndësi se kush është në pozitë e kush në opozitë, ka vazhduar tutje ai, duke thënë se pozita dhe opozita e mirëfilltë duhet t’i japin zgjidhje çështjeve me interes shtetëror dhe nacional.

“Pa dy krahët, atë të  trashëgimisë së rezistencës së Ibrahim Rugovës dhe atë të dalë nga UÇK, nuk mund të përballohet përmbyllja e marrëveshjes me Serbinë. Në këto procese nuk mund të përjashtohet askush, sepse nuk ka parti dhe njeri që nuk e do Kosovën dhe shtetin e Kosovës, por çdokush  e do sipas mënyrës së vet dhe me kutin e vet”, ka theksuar i pari i LDK-së.

Ai ka shtuar se tashmë kur kemi institucione kushtetuese nuk na lejohet që të improvizojmë, sepse siç deklaroi ai, “zgjidhja mund të jetë ajo që është e pranueshme për shumicën që e përcakton Kushtetuta jonë”.