Mustafa: 5500 Vende Pune në 2015-ën

Shifrat për punësimin e vjetshëm Mustafa i dha kur prezantoi raportin e punës së qeverisë për vitin 2015.

Ai tha se gati gjysma e tyre ose mbi 2 mijë e 500 veta janë punësuar në sektorin e bujqësisë.

Ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi të mërkurën përmendi 1 mijë e 600 të punësuar vjet nga grantet e Ministrisë së Bujqësisë.

http://kallxo.com/krasniqi-1600-vende-pune-ne-bujqesi/

Mustafa tha se raporti i punës së qeverisë do t’u dorëzohet partnerëve, publikut dhe qytetarëve, ndërsa përmendi disa shtylla ku është bazuar puna e ekzekutivit, mes tjerash në fuqizim të ekonomisë, shtet të së drejtës dhe arsim.

Mustafa e konsideroi suksesin më të madh të qeverisjes së tij Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Tha se gjatë vitit të kaluar janë miratuar 80 projektligje, është luftuar korrupsioni dhe parandaluar ekstremizmi i dhunshëm.

Kosovën sipas Mustafës deri tash e kanë njohur 111 shtete, ndërsa ajo është anëtarësuar në institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare.

Mustafa përmendi edhe vendimet e rënda të marra gjatë 2015-ës. Të tilla i konsideroi themelimin e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale, marrëveshjen për asociacionin dhe atë për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Mustafa foli edhe për pengesat që opozita i shkaktoi qeverisë në kryerjen e punëve. Ai tha se qeveria vitin e kaluar ka realizuar planin e paraparë 85 deri 90 për qind.

Pas paraqitjes së raportit vjetor të punës, ai u miratua nga qeveria.

Në fillim të mbledhjes Mustafa propozoi që në pikën e rendit të ditës “të ndryshme” të diskutohet për mbledhjet e sivjetme të Qweverisë së Kosovës me atë të Shqipërisë.