Muri me Meksikën, 16 shtete padisin Trumpin

Një koalicion prej 16 shtetesh amerikane, i udhëhequr nga Kalifornia, paditi administratën e presidentit Donald Trump për vendimin për të shpallur emergjencë kombëtare, me qëllim mbledhjen e fondeve për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën.

Trump e shpalli emergjencën kombëtare të premten, duke anashkaluar Kongresin, pasi ky i fundit refuzoi të miratojë 5.7 miliardë dollarët e kërkuar për murin.

Njoftimi i presidentit erdhi pasi ai e nënshkroi një ligj të shpenzimeve, duke shmangur një mbyllje tjetër të qeverisë, por që i siguroi atij vetëm 1.3 miliard dollarë për barriera të reja në kufi.

Demokratët kundërshtojnë të financiojnë murin, për të cilin Trump thotë se do të pengonte hyrjen e migrantëve të paligjshëm në SHBA.

Shtetet që ngritën padinë, thanë se duan të bllokojnë “keqpërdorimin e pushtetit presidencial” nga ana e Trumpit.

Padia kërkon një vendim gjyqësor që do ta ndalonte Trumpin të vepronte në gjendje emergjente, derisa beteja ligjore të zhvillohet në gjykata, raporton Washington Post.

“Po e padisim presidentin Trump për ta ndaluar atë që të plaçkisë fondet e tatimpaguesve që ligjërisht janë lënë mënjanë nga Kongresi. Për shumicën prej nesh, zyra e presidencës nuk është një vend për teatër”, tha prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë, Xavier Becerra.

Padisë së Kalifornisë i janë bashkuar: Kollorado, Konektikat, Dellaver, Havaji, Illinois, Mein, Merillend, Minesota, Nevada, Nju Xhërsi, Nju Meksiko, Nju Jork, Oregon, Virxhinia dhe Miçigen.

Të gjitha ato, pos Merillendit, qeverisen nga demokratët. Sipas tyre, urdhri i presidentit Trump për t’i devijuar fondet do t’iu kushtonte atyre miliona dollarë dhe do t’iu dëmtonte ekonomitë.

Padia u ngrit në gjykatën për Qarkun e Veriut të Kalifornisë.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dalë ende me ndonjë koment. Më herët, presidenti ka thënë se emergjenca kombëtare do t’i mundësojë atij të sigurojë gati 8 miliardë dollarë për murin, edhe pse barriera e gjatë gati 3,200 kilometra, sipas llogaritjeve, do të kushtonte 23 miliardë dollarë.

Trump e ka parashikuar se do të paditet për këtë veprim dhe ka thënë se rasti ka të ngjarë të përfundojë në Gjykatën Supreme.

“Ne do të përballemi me krizën e sigurisë kombëtare në kufirin tonë jugor. Gjithkush e di se muret funksionojnë”, ka thënë Trump.

Kritikët, megjithatë, e kanë akuzuar qeverinë për një “krizë të prodhuar”, duke thënë se pohimet e presidentit rreth situatës janë të pavërteta.

Akti i Emergjencave Kombëtare në SHBA është i menduar për kohë të krizave kombëtare.

Trump ka pohuar se ekziston një krizë migrantësh në kufirin jugor të SHBA-së, gjë që është hedhur poshtë nga ekspertët e migracionit.