Kallxuesi Murat Mehmeti dhe gazeta online "Insajderi" fitojnë Çmimin për Demokraci 2017 - Foto: KALLXO.com

Murat Mehmeti dhe ‘Insajderi’ Nderohen me Çmimin për Demokraci 2017

Murat Mehmeti, denoncuesi i skemës së evazionit fiskal në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe gazeta online ‘Insajderi’, publikuese e një sërë hulumtimesh mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar, kanë marrë Çmimin për Demokraci për vitin 2017.

Ky çmim u nda pas një gare të hapur njëvjeçare dhe shqyrtimit të 12 nominimeve të paraqitura.

Çmimi për Demokraci 2017 u nda në kuadër të projektit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike”, i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, i bashkëfinancuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës dhe zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.

Murat Mehmeti, denoncuesi i skemës së evazionit fiskal në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), tha se gjithmonë është  munduar të bëjë diçka të mirë për gjeneratat e ardhshme.

“Do ta bëj më të mirën e mundshme edhe në të ardhmen”, theksoi Mehmeti.

Vehbi Kajtazi, kryeredaktori i “Insajderi”-t, u shpreh se ky është çmimi më i rëndësishëm deri më tash sepse ka të bëjë me demokracinë.

Patrick Etienne, drejtor i Zyrës Zvicerane për Kosovën, vlerësoi guximin dhe përkushtimin e fituesve të Çmimit për Demokraci 2017, duke theksuar nevojën për një shoqëri civile më aktive, e cila shtyn qeverinë për më shumë transparencë dhe llogaridhënie.

“Jam optimist për Kosovën kur shoh që ka aktorë të zgjuar, të përkushtuar dhe të guximshëm, të cilët janë të vetëdijshëm  se të qenët indiferent kur dëmtohet interesi publik nuk ofron zgjidhje për vendin”, tha Etienne.

Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Venera Hajrullahu theksoi se çmimi vë në dukje punën, guximin dhe vetëmohimin e qytetarëve të Kosovës për demokratizimin e vendit.

“Ky çmim është përfaqësues i vlerave tona dhe shpresojmë që përfaqëson  edhe vlerat e çdo qytetari që ka në zemër shndërrimin e Kosovës në një demokraci përfaqësuese dhe shtet  funksional”, potencoi Hajrullahu.

Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, tani inspektor në Administratën Tatimore të Kosovës, Murat Mehmeti solli rrëfimin e tij për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ në një trilogji emisionesh që pasqyruan problemet dhe keqpërdorimet në ATK.

Ai pavarësisht presionit që ka marrë në vendin e punës ka dalë publikisht për të treguar rrjetin e organizuar për evazion fiskal të më shumë se 200 bizneseve kosovare.

Në pjesën e parë të emisionit “Jeta në Kosovë” për “Vjedhjet e Organizuara Tatimore”, Murat Mehmeti ka rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave të tatimeve duke i shkaktuar kështu miliona euro dëme buxhetit të Kosovës.

Pjesa e dytë e trilogjisë së emisionit ‘Jeta në Kosovë’  i është kushtuar skemës së evazionit fiskal të cilën e ka zbuluar Mehmeti. Pas këtij zbulimi Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij.

Lëvizja FOL e ka vlerësuar Mehmetin si një qytetar të ndershëm, të dinjitetshëm duke e nderuar atë me çmimin qytetari më i guximshëm i vitit 2016.

KALLXO.com e transmetoi LIVE ndarjen e çmimit.