Murat Meha

Murat Meha Afër Suspendimit nga Detyra

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferat Shala i ka thënë KALLXO.com se sapo të marrë informacion zyrtar nga Prokuroria për aktakuzën ndaj Murat Mehës, do të veprojë sipas ligjit.

Derisa Qeveria është duke pritur që të mërkurën të vendoset fati i saj, pas nismës për mocion mosbesimi, Kryeministri Isa Mustafa nuk po e mban premtimin e tij për të suspenduar çdo zyrtar ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nga organet e rendit.

Kreu i Qeverisë Isa Mustafa kishe shkruar në janar se një prej arsyeve që Kosova ishte ngritur në raportin e Transparency International është edhe marrja e hapave konkretë për suspendimin e çdo zyrtari që ka aktakuzë.

“…Përmirësimi i renditjes së Kosovës në raportin e TI-së është rezultat i hapave konkretë që kemi ndërmarrë duke filluar që nga suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, te reformat strukturale siç është prokurimi elektronik, e deri te fakti se gjatë tërë këtij mandati nuk ka ndodhur asnjë aferë korruptive”, kishte shkruar Mustafa më 25 janar të këtij viti.

Mirëpo, aktakuzë i është ngritur edhe njërit prej emrave më të përmendur në Kosovë këto 2 vjetët e fundit- kryetarit të komisionit që bëri shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Murat Mehës në cilësinë e kryeshefit të përgjithshëm të Agjencisë Kadastrale të Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

http://kallxo.com/murat-meha-ne-holande-shtyhet-gjykimi-tij/

Ndaj këtij të fundit ende nuk është marrë asnjë vendim.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje gjatë javës kabinetit të Kryeministrit por të njëjtit nuk u janë përgjigjur pyetjeve.

Agjencia Kadastrale e Kosovës është institucion që vepron në kuadër të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, ku vitin e kaluar një ministër u largua nga udhëheqja e kësaj ministrie për shkak të ngritjes së aktakuzës.

Ish-Ministri Ferid Agani kishte dhënë dorëheqje për shkak të aktakuzave në rastin e stentave.

http://kallxo.com/ferid-agani-lirohet-nga-detyra/

Arton Demhasaj nga organizata Çohu tha për KALLXO.com se kreu i Qeverisë Mustafa është dashur të kërkojë nga ministri Shala të suspendojë zyrtarin e ministrisë së tij për shkak të aktakuzës.

“Është dashtë që Kryeministri Mustafa të ndikojë te ministri i tij me nxjerrë një vendim, për shkak se parimi kryesor që z.Mustafa e ka pasë ka qenë se kemi me pasë një qeveri të pakorruptuar e me duar të pastra. Këtu po shihet se kjo ka qenë një deklaratë sa për publik e momentale”,tha Demhasaj për KALLXO.com.

Sipas Demhasajt, mos-suspendimi tregon fuqinë e Mehës.

“Kjo tregon edhe për fuqinë politike që e ka z.Meha, për shkak se qeveria nuk po e nxjerrë një vendim për suspendimin e tij nga pozita që e ka dhe në njëfarë mënyre qeveria s’po ka guxim me nxjerrë një vendim të tillë”, tha Demhasaj.

Ndërsa në një prononcim për KALLXO.com, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala tha se për këtë çështje ka kërkuar informacion zyrtar nga prokuroria.

“Unë kam kërkuar informacion zyrtar me shkrim nga Prokuroria, sepse unë nuk kam asgjë zyrtare, përveç shkrimit të medieve edhe pse i kam marrë shumë serioze, por unë iu kam drejtuar zyrtarisht Prokurorisë për të pa se qysh është gjendja e zyrtarit që është vartës i ministrisë. Në momentin që do të marr informacion zyrtar, do të veprojmë sipas ligjit”, tha ministri Shala për KALLXO.com

I pyetur së nëse e ka biseduar këtë çështje me vetë Murat Mehën, ministri Shala thotë se nuk mund të bisedojë pa pasur një dokument të shkruar.

“Nuk mundem me bisedu me askënd pa pasur një dokument të shkruar, sepse realisht nuk kam bazë as morale as juridike, me i thënë dikujt diçka, pa e pasë të argumentime”, tha ministri Shala, duke shtuar se në momentin që do të ketë diçka zyrtare e të argumentuar do të gjendet zgjidhja optimale brenda ligjit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Murat Mehën për ta pyetur nëse do të japë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij, por në fillim në telefonin e Mehës është lajmëruar dikush tjetër që ka sqaruar se Meha nuk e ka telefonin me vete, e më pas askush nuk u është përgjigjur telefonatave.

Një prej pikave të  marrëveshjes së koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është edhe pajtimi i dy subjekteve politike që në kabinetin qeveritar të mos përfshihen persona ndaj të cilëve ngrihen aktakuza.

“PDK dhe LDK pajtohen që në kabinetin qeveritar të mos përfshihen persona të dënuar për vepra të ndryshme penale, sipas Kushtetutës, si dhe ata ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza”, thuhet në pikën 12 të marrëveshjes së koalicionit.

http://kallxo.com/ja-marreveshja-e-plote-pdk-ldk-dokument/

Kryeministri Mustafa së fundi i kishte kërkuar dorëheqje, ose kishte thënë se do ta shkarkonte ministrin e kabinetit të tij Dalibor Jevtiq, pasi Jevtiqit iu ngrit aktakuzë.

http://kallxo.com/mustafa-thote-ministrit-te-tij-doreheqje-ose-shkarkim/