Mungon Prokurorja, Shtyhet Gjykimi Ndaj Policëve të Akuzuar për 10 Euro Ryshfet

Një seancë e caktuar të mbahej sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë u shty për shkak të mungesës së prokurores së rastit.

Në seancën e rastit në të cilin të akuzuar janë dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Haxhi Vojvoda dhe Flurim Hoxha, prokurorja Dulina Hamiti nuk u paraqit fare. Ajo nuk e kishte arsyetuar me shkrim mungesën.

Gjykatësi i rastit, Vehbi Kashtajneva e shtyu seancën pasi e kishte pritur prokuroren për 20 minuta që të paraqitet në gjykatore.

Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet më 27 mars.

Dy pjesëtarët e Policisë të akuzuar në këtë rast janë pjesë e Njësisë për Kontroll të Autostradave në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Sipas aktakuzës të pandehurit Vojvoda e Hoxha në cilësinë e personave zyrtarë, më 30 prill 2016, derisa ishin në detyrë zyrtare në pikë kontrollin në fshatin Komoran, kanë ndaluar një vozitës nga i cili “kanë kërkuar dhe kanë pranuar ryshfet shumën e parave prej 10 Euro për ta liruar, pa i shqiptuar tiketë” për kundërvatjen në trafik.

Gjyqtari Kashtanjeva pas caktimit të datës për shqyrtimin e radhës tha se “për mosprezencën e prokurores në shqyrtimin e radhës do ta njoftojë edhe Kryeprokurorin”.

Nga gjykimi i policëve të akuzuar për ryshfet. Foto: Kallxo.com