Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për narkotikë

Në gjykimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve po gjykohen të akuzuarit Lulzim Dalipi, Emin Ibrahimi, Labinot Kqiku nga Gjilani si dhe Kushtrim Rexhepi nga fshati Malishevë komuna e Gjilanit.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Zyhdi Haziri, pasi konstatoi prezencën e palëve në procedurë, njoftoi se për shkak të mungesës së të akuzuarit Kushtrim Rexhepi, i cili gjendet në burgun e Dubravës, seanca e sotme shtyhet.

Po ashtu, kryetari i trupit gjykues njoftoi se procedura ndaj të akuzuarit tjetër Emin Ibrahimi është veçuar.

Prokurori i shtetit Isuf Sadiku deklaroi se pasi që nuk ka kushte për mbajtjen e seancës, atëherë është e rrugës që të caktohet një seancë sa më parë dhe në interval të shkurtër kohor, për shkak të ekonomizimit të procedurës. Prokurori po ashtu propozoi që për seancën e radhës të ftohet në dëgjim oficeri Skënder Bunjaku ngase i njëjti ka qenë hetues i këtij rasti.

Trupi gjykues në përbërje nga Zyhdi Haziri kryetar dhe Mevlide Shabani e Boban Aleksiq anëtarë, mori aktvendim me të cilën konstatoi aprovimin e propozimit të prokurorit të shtetit lidhur dëgjimin e dëshmitarit të lartëcekur.

Sipas shpjegimit të Prokurorisë në Gjilan, i pandehuri Lulzim Dalipi akuzohet se ia kishte dorëzuar substancën narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 4.3  gramë të akuzuarit Labinot Kqikut, e që pas punës operative të Policisë në Gjilan, hetohet dhe zbulohet. Me çka si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të pautorizuar të narkotikëve.

Për të njëjtën vepër penale, po akuzohen në bashkëkryerje edhe Lulzim Dalipi e Emin Ibrahimi, të cilët  me qëllim të shitblerjes, substancën narkotike të llojit Marihuanë me peshë prej 419 gramë e kanë fshehur në oborrin e shtëpisë së Emin Ibrahimit, e që pas punës operative të policisë hetohen, zbulohen dhe iu konfiskohet substanca narkotike.

Po ashtu, sipas aktakuzës Labinot Kqiku po akuzohet se me qëllim të shitjes-shpërndarjes ka siguruar substancën e llojit marihuanë me peshë prej 4.3 gramë të blerë nga Lulzim Dalipi, e që pas punës operative të Policisë në Gjilan hetohet dhe zbulohet.

Si dhe i pandehuri Kushtrim Rexhepi akuzohet se ka poseduar në mënyrë të paautorizuar me qëllim të shitjes-shpërndarjes substancën e llojit marihuanë (1.7 gram), e cila pas kontrollit të Policisë i konfiskohet.

Seanca e radhës do të mbahet më 5 dhjetor.