Gjykimi ndaj Hajrullah Binakajt. Foto: Kallxo.com

Mungon i Akuzuari, Shtyhet Gjykimi për Doktorin e Spitalit të Zemrës në Gjakovë

Është shtyrë seanca e gjykimit ndaj kardiologut të Spitalit Privat “Heart”, Hajrullah Binakajt, për arsye të mungesës së tij në seancë.

Binakaj akuzohet se në cilësinë e doktorit dhe njëkohësisht pronarit të spitalit, ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare.

I akuzuari Binakaj nuk ishte i pranishëm në gjykatë, ndërsa avokati i tij Teki Bokshi prezantoi dokumente mjekësore për të arsyetuar mungesën e tij.

Edhe seanca tjera të këtij gjykimi ka pasur raste kur janë shtyrë.

Binakaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Gjakovës për “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe ai ishte dënuar me dy vjet e tre muaj burgim efektiv në shtator të vitit 2016.

Por rasti është kthyer në rigjykim me aktgjykim të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Prokuroria akuzon Hajrullah Binakajn se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktim të dëmit, e shpërdoroi pozitën e tij zyrtare dhe tejkaloi kompetencat duke marrë 6 mijë euro nga V.B. për mjekimin e vajzës së tij.

Në aktakuzë thuhet se kardiologu nuk i ka ofruar pacientes trajtimin e duhur.

Sipas prokurorisë, Hajrullah Binakaj nuk e kishte të kryer Fakultetin e Mjekësisë në kohën kur mori paratë dhe po trajtonte pacienten V. G. prej vitit 2007 deri në vitin 2012, si pronar dhe menaxher i spitalit për sëmundje kardiovaskulare “Heart”.

Hajrullah Binakaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore.

http://kallxo.com/pacientja-dha-6-mije-euro-per-operacionin-qe-nuk-u/