Drenasi | Foto nga: Rron Gjinovci

Mungon i akuzuari, dështon seanca për përleshjen me armë, boksa e shishe në Drenas

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet një seancë gjyqësore për një përleshje që kishte ndodhur tetë vjet e gjysmë më parë në një lokal në Drenas.

Në këtë rast, Ilaz Syla e Florent Kastrati po akuzohen për një përleshje me Nebih Rexhepin e Egzon Shalën.

Por në seancën e sotme Ilaz Syla mungoi, pavarësisht se gjykata kishte lëshuar urdhër për sjellje me shoqërim.

Në vend të Ilaz Sylës, në seancë mori pjesë vëllai i tij i cili deklaroi se i akuzuari Ilaz Syla mungon për arsyeje shëndetësore.

Edhe Nebih Rexhepi bashkë me Egzon Shalën ishin të akuzuar në këtë rast, por gjykata ka arritur në përfundimin se akuza ndaj tyre kishte arritur parashkrimin absolut.

Sipas prokurorisë ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit 2010 në lokalin “Art Club” në Drenas, ku kishte një mosmarrëveshje në mes të Ilaz Sylës dhe Florent Kastratit në njërën anë dhe Nebih Rexhepit dhe Egzon Shalës në anën tjetër.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ilaz Syla e ka nxjerrë revolen e markës ‘Zastava’ dhe ka gjuajtur në drejtim të të pandehurit Nebih Rexhepi, të cilit ende i ka mbetur predha në trup dhe i ka shkaktuar dëmtime të lehta trupor, ndërsa Florent Kastrati, duke dashur t’i ndihmojë të pandehurit Ilaz Syla në kryerjen e veprës penale, nga mbrapa e ka goditur me boks të pandehurin Nebih Rexhepi i cili nga goditja kishte rënë në dysheme.

Ndërsa të pandehurit Nebih Rexhepi dhe Egzon Shala kanë marrë shishe nga tavolinat dhe i kanë gjuajtur në drejtim të palës rivale duke e goditur të pandehurin Florent Kastrati.

Në bazë të aktakuzës, Ilaz Syla akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa Florent Kastrari për ndihmë në vrasje të rëndë në tentativë.

Të akuzuarit Nebih Rexhepi dhe Egzon Shala vepra e të cilëve është parashkruar akuzoheshin për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.

Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet me datë 23 shtator.