Ilir Tolaj (Arkiv). Foto: Kallxo.com
Mungon Bujar Bukoshi, shtyhet seanca, nervozohet Ilir Tolaj
Ish sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, u nda i pakënaqur sot në sallën e gjyqit kur iu kumtua se seanca gjyqësore në rastin ku ai është i akuzuar nuk mund të mbahet.
Arsye e këtij vendimi nga gjykatësja e rastit ishte se njëri nga të akuzuarit, ish-ministri i Shëndetësisë, Byjar Bukoshi, nuk ishte i pranishëm në sallë.
“Nuk mund të mbetemi peng i asnjë individi, të shtyhet 5 herë seanca për dikë e ne të jemi gjithmonë në dispozicion. Kjo është e disata herë që shtyhet, na për qejf nuk jemi, gjykata na ka ftuar të dëshmojmë pafajësinë tonë”, tha Tolaj.
Në këtë rast, të akuzuqar pos Tolajt e Bukoshit janë edhe zyrtarë tjerë të kësaj ministrie Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha.
Që të gjithë akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas kryetares së trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica i akuzuari Bukoshi e ka pranuar ftesën për paraqitje në seancë, por i njëjti përkundër kësaj nuk është paraqitur në gjykatë dhe as mungesën nuk e ka arsyetuar.
“Mungon i akuzuari Bujar Bukoshi, ftesën e ka pranuar dhe nga fletëkthesa konstatohet se pala u njoftua me shkrim për mbajtjen e shqyrtimit të sotëm gjyqësor, por i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës”, tha kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi-Jashanica.
Në sallë të gjykatës nuk ishte i pranishëm as mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Berisha.
Në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës gjyqësore, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Jashanica morri aktvendim që shqyrtimi të ndërpritej dhe i njëjti të caktohej për një datë tjetër.
Gjatë vendosjes në lidhje me caktimin e datës për seancën e radhës, reagim pati nga i akuzuari Ilir Tolaj i cili i kërkoi gjykatës që të caktoj seancën gjyqësore dhe të mos lejohej që ata të mbetën peng e “tekeve” të disa individëve pasi që sipas tij tashmë pesë herë ka dështuar seanca gjyqësore si shkak i mungesës së disa prej të akuzuarve, ndërsa për vete tha se gjithherë i është përgjigjur ftesës.
Ky rast është rast i kthyer në rigjykim.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi në bazë të aktakuzës së ngritur nga EULEX-it, akuzohej për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit.
Kurse ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, akuzohej për 12 pika të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimeve, një pikë për dhënie të ryshfetit, një për shmangie nga tatimi si dhe për pengim të të provuarit.
Ilir Tolaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë u gjet fajtor vetëm për dy pika të aktakuzës dhe atë për pikën 1.3 që është shpërdorimi i detyrës zyrtare ose autorizimit të cilën Gjykata e ndryshoi në nxitje në falsifikim të dokumenteve, për të cilën pikë u shpall fajtore edhe Arbenita Pajaziti.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Rajmonda Hyseni që të nënshkruajë dokumentet se kinse ajo ka marrë pjesë në vlerësimin e dy tenderëve emergjentë. Në fakt ajo nuk kishte marrë pjesë fare në këtë vlerësim.
Arbenita Pajaziti për këtë vepër nga Gjykata Themelore u dënua me 6 muaj burgim me kusht. Ndërsa Ilir Tolaj për të njëjtën vepër u dënua me 10 muaj burg.
Tolaj më tutje u gjet fajtor nga Gjykata Themelore për shmangien nga tatimi, vepër penale e dënueshme deri në pesë vjet burg. Për këtë ai u dënua me 9 muaj burgim.
Ilir Tolajt, Gjykata i dha një dënim unik prej 18 muajsh burgim si dhe e dënoi me gjobë prej 1 mijë eurosh. Tolajt iu ndalua ushtrimi i funksionit publik në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.
Arbenita Pajaziti është dënuar për pikën 1.6 të aktakuzës me 6 muaj burgim me kusht. Gjykata i shqiptoi asaj dënimin unik prej 8 muajsh me kusht duke mbikëqyrur dënimin për dy vjet, si dhe iu ndalua ushtrimi i funksionit publik në kohëzgjatje prej për 2 vjet.
Kjo pikë e aktakuzës e ngarkonte Pajazitin se ajo i kishte thënë komisionit për pranimin e mallrave që të nënshkruajnë një deklaratë të falsifikuar të pranimit të medikamenteve nga furnizuesit të cilët nuk kanë mundur ta furnizojnë MSh-në deri pas datës 21 dhjetor.
Hajrullah Fejza nga Gjykata Themelore u dënua dy herë nga 6 muaj burg për dy vepra të kërkimit të ryshfetit. Ai mori një dënim unik prej 8 muajsh burg si dhe iu ndalua ushtrimi i funksionit publik për 3 vjet. Fejza nga viti 2010 kryente detyrën e shefit të Divizionit për Shërbime Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë.
Fejza akuzohej nga prokuroria se në fillim të vitit 2011 i kishte kërkuar Milaim Avdullahut shumën prej 10 % nëse donte të merrte tenderin. Njëjtë Fejza kishte vepruar edhe me Fadil Lubeniqin.
Milaim Avdullahu dhe Fadil Lubeniqi, njëri pronar i kompanisë farmaceutike “Sante Pharm” dhe tjetri i asaj “Pro Pharm Helvetica” ishin palë të dëmtuara në rastin “Tolaj, Bukoshi dhe të tjerët”.
Ndërsa Ish-ministri i Shëndetësisë Bujar Bukoshi, ish-shefi i Departamentit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë Bekim Fusha, ish-drejtor i Prokurimit Zenel Kuqi dhe ish zyrtari i Prokurimit Ismet Hyseni, ishin shpallur të pafajshëm.
Pas ankesës së mbrojtjes të ushtruar në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit nxori aktvendim me anë të të cilit vendosi që rastin ta kthej në rigjykim.
Më pas Gjykata Supreme pas ankesës së mbrojtjes së Ilir Tolaj ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe atë të Apelit në atë mënyrë që ndaj Ilir Tolaj është refuzuar pika e aktakuzës për kryerjen e veprës penale shmangie nga tatimi. Po ashtu Gjykata Supreme e ka anuluar edhe dënimin në rastin e Hajrullah Fejzës, të cilin Gjykata Themelore e kishte dënuar me dënim unik prej 8 muajsh burg dhe ndalimi i ushtrimit të funksionit publik për 3 vjet, si dhe rastin e ka kthyer në rivendosje.
Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t’i gjeni në këtë link.